2009-01-21 16:10:24

Vizita e nuncit në Gazë për të çuar solidaritetin e Papës


(21.01.2009 RV)Ushtria izraelite përfundoi sot tërheqjen nga Rripi i Gazës, ndërsa dje ndodhej për vizitë në rajon Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun. Ai konstatoi personalisht dëmet e pësuara nga popullsia lokale dhe kërkoi masa urgjente kundër Tel Avivit për bombardimet e ndërtesave të OKB-së në zonë.
Sot në Gazë ishte për vizitë edhe nunci në Izrael dhe legati apostolik për Jeruzalemin, imzot Antonio Franko, i cili dorëzoi personalisht ndihmat e dërguara nga Papa Benedikti XVI. “Pashë shumë shkatërrime, deklaroi nunci, por dëmet më të mëdha janë në zonat periferike”. Në Meshën e kremtuar në famullinë e Familjes Shenjte, ndihej ndër besimtarët shpresa që armëpushimi me Izraelin të vazhdojë, që të fillojë jeta normale e të bëhen përpjekje të vërteta për arritjen e paqes. “Njerëzit – tha për agjensinë katolike Sir, imzot Franko – janë të lodhur nga gjendja dhe nga pasiguria e së nesërmes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.