2009-01-21 16:09:58

Dita e parë e punës për presidentin e ri të SHBA-ve, Barak Obama


(21.01.2009 RV)RealAudioMP3 Pas ceremonisë së betimit dje në Uashington, në të cilën morën pjesë 2 milion vetë, sot filloi dita e parë e punës për presidentin e ri të SHBA-ve, Barak Obama. Në takimet me këshilltarët, çështje të rëndësishme si kriza e tregut, prania e trupave amerikane në Irak e Afganistan, konflikti në Lindjen e Mesme. Vendime edhe për burgun e Guantanamos, që Obama ka premtuar ta mbyllë. Ai ka kërkuar tashmë pezullimin e proceseve të paktën për 120 ditë, duke fituar miratimin e një pjese të mirë të krerëve botërorë.
SHBA-të e bota mbarë akoma jetojnë me jehonën e fjalimit të djeshëm, gjatë të cilit, presidenti i ri i thuri himn demokracisë amerikane, duke iu kthyer vlerave të etërve themelues, siç tha, e duke premtuar se gjithçka është e mundur nëse ndershmëria e puna e palodhur, toleranca dhe patriotizmi zënë vendin e egoizmit e të frikës. Nga Capitol Hill, ndërtesë e ngritur 200 vjet më parë nga skllevërit afrikanë, Barak Obama tha atë që ishte në mendjen e të gjithëve: “kjo është domethënia e lirisë sonë, që një njeri, babait të të cilit, jo më shumë se 60 vjet më parë, nuk do t’i shërbenin në restorant, sot mund të bëjë para jush betimin më të shenjtë”.
Karizma e Obamës fitoi mbi skepticizmin e kancelarive botërore. Pas betimit mbërritën urimet e liderëve të globit, thellësisht të shqetësuar për krizën financiare dhe për konfliktet anembanë planetit. Më tepër bashkëpunim për të përballuar sfidat e mëdha të kohës sonë, kërkuan presidenti i Komisionit Evropian, Barroso, presidenti francez, Sarkozì e kancelarja gjermane, Merkel. Shpresa të mëdha ngjall fjalimi i Obamës për kryeministrin britanik Braun e pozitivisht e sheh atë edhe homologu spanjoll, Zapatero. Nga Italia, presidenti Napolitano shprehu vlerësimin e tij për impenjimin që Amerika të rifitojë konsensusin moral botëror. Aprovimi për “demokracinë më të madhe të botës” mbërriti edhe nga kryeministri izraelit, Olmert, por diametralisht i kundërt gjykimi i presidentit venezuelian, Çavez, i cili foli për imperializmin amerikan. Ndërkaq, kryetarja e shtetit të Kilit, Baçelet dhe homologia e saj argjentinase, Kirshner uruan që të rifillojë një fazë e re dialogu ndërmjet SHBA-ve dhe Amerikës Latine. Marrëdhënie të reja dëshiron edhe Irani, i cili, gjithsesi, e fton Obamën të rishqyrtojë politikën amerikane në Lindjen e Mesme. Hamasi i kërkon të mësojë nga gabimet e Bushit e një zëdhënës i talebanëve e fton të tërhiqet menjëherë nga Afganistani. Fjalimi i Obamës çensurohet në internetin kinez, por pritet me entuziazëm në Afrikë. Në Kenia, atdheu i babait të Obamës, u panë skena gëzimi e hareje, ndërsa heroi i luftës kundër dallimeve raciale, Nelson Mandela e quajti presidentin amerikan “zëri i ri i shpresës” për botën.

“Një epokë të re përgjegjësie” kërkoi Barak Obama në fjalimin e tij para një Amerike, të cilën e ftoi të mos i harrojë vlerat tradicionale. Të dëgjojmë komentin e ish-ambasadorit të SHBA-ve në Itali, Boris Biankeri, aktualisht kryetar i Institutit për studimin e Politikës Ndërkombëtare:
Obama vuri në dukje se ekzistojnë sfida të reja para të cilave ndodhen SHBA-të, sfida që duhen përballuar përmes vlerave tradicionale: patriotizmit, besnikërisë, besimit, ndjenjës së përgjegjësisë, përkatësisë kombëtare e kështu me radhë. Janë vlerat e qëndrueshme dhe tradicionale, ato që e krijuan dhe e bënë të madh një vend si SHBA-të, vlerat e referimit për zgjidhjen e problemeve. Ky është qëndrimi i presidentit.
Në fjalimin e tij, Obama vuri në qendër temën e barazisë para Zotit për të gjithë popujt. Si ndikon politika e tij në temën e tolerancës fetare dhe në atë të konflikteve ndërkombëtare?
Ai nënvizoi shndërrimin e SHBA-ve në një shoqëri shumëfetare, shfaqi vlerësimin e tij edhe për Islamin, sëbashku me fetë e tjera që janë pjesë përbërëse e kulturës amerikane. Nuk iu referua në mënyrë të veçantë Evropës ose Azisë, apo zonave kritike, vetëm sa përmendi Afganistanin si krizë botërore. Obama është pa dyshim një person me talent e inteligjencë të madhe, më duket edhe mjaft i ekuilibruar e prandaj, jam i sigurtë se përgjigjet e Obamës para sfidave ndërkombëtare do të frymëzohen nga këto cilësi jo të pakta.
Siç tha presidenti i ri, Amerika nuk mund të favorizojë vetëm të pasurit, por duhet t’u japë mundësi të gjithëve të përparojnë. Sipas jush, a është e mundur që të kapërcehen ndryshimet ndërmjet Jugut e Veriut të botës?
Sigurisht, problemi i pabarazisë në shpërndarjen e pasurisë në botë duhet të hyjë në rendin e tij të ditës. Unë besoj se Obama e ka këtë ndjenjë të drejtësisë shoqërore. Do t’i kushtojë vëmendje edhe kësaj teme, por së pari, është e nevojshme të gjenden burimet e duhura, meqenëse zgjidhja e problemit kërkon fonde.







All the contents on this site are copyrighted ©.