2009-01-21 16:10:35

Amnesti i kërkon Rusisë hetime për vrasjen e Markelovit e Baburovës


(21.01.2009 RV)Në korin botëror të dënimeve për vrasjen e avokatit dhe mbrojtësit të të drejtave të njeriut, Stanislav Markelov dhe të gazetares ruse Anastazia Baburova, del në pah zëri i organizatës Amnesti Interneshënëll, e cila nxit autoritetet e Moskës të kryejnë hetime të shpejta, të thelluara e objektive. Vetë organizata bashkëpunonte pikërisht me Markelovin. Vrasja e tij në kryeqytetin e Rusisë ndodhi kur Markelovi përgatitej të paraqiste apelim kundër vendimit për nxjerrjen nga burgu të një ish-koloneli rus, i dënuar për dhunimin e vrasjen e çeçenes Keda Kungajeva në mars të vitit 2000. Një tjetër kolonel, i dënuar për të njëjtën akuzë, u lirua më 15 janar. Në vitin 2004, Amensti pati zhvilluar një fushatë në mbështetje të avokatit, pasi Markelov u rrah e u rrëmbye për faktin se pati mbrojtur një tjetër çeçen të zhdukur, viktimë të torturave.







All the contents on this site are copyrighted ©.