2009-01-20 17:09:15

“Familja, puna dhe festa” - Tema e Takimit VII Botëror të familjeve që do të zhvillohet në Milano në 2012.


(20.01.2009 RV)RealAudioMP3 Lajmi u dha nga Papa Benedikti XVI gjatë Meshës që mbylli Takimin VI të familjeve që u zhvillua nga 14-18 janar në Meksiko. Për diçka më tepër mbi këtë takim, le të dëgjojmë kard. Dionixhi Tetamanxi, kryeipeshkëv i Milanos:

Pyetje: Tema e takimit në Milano do të jetë “Familja, puna dhe festa”. Pse këto të trija?

Përgjigje: Është një zgjedhje thelbësore, pikërisht për jetën e familjes, për misionin e saj qoftë në shoqëri qoftë në Kishë, sepse puna është padyshim një nga vlerat themelore të individit, jo vetëm të personit në vetvete, por të personit të parë në përmasat shoqërore. Përmasa shoqërore e familjes ushqehet pikërisht tek impenjimi i përditshëm, në punë, kur puna nuk mund të shihet vetëm si një faktor ekonomik për mbajtjen e familjes, por kërkon që të shihet edhe si një faktor themelor i veprimtarisë edukuese. Nga ana tjetër nuk mund të flasim për punë nga këndvështrimi thellësisht antropologjik nëse nuk mendojmë edhe për pushimin. Prandaj, tema e festës bëhet një element themelor për realizimin njerëzor dhe të krishterë të vetë punës.

Pyetje: Papa ka nënvizuar shpeshherë rëndësinë e dëshmisë që duhet të japin në shoqëri familjet e krishtera. Si duhet pritur kjo ftesë?

Përgjigje: Duhet kuptuar se shoqëria, në fakt përkon me familjen. Në këtë kuptim, familjet nuk janë vetëm pjesëmarrëse në shoqëri, por luajnë edhe një rol kryesor të veçantë. Kjo gjë kërkon që institucionet ta njohim familjen jo vetëm me fjalë por konkretisht, në mënyrë të prekshme, nëpërmjet promovimit të të drejtave dhe të përgjegjësive themelore të çdo familjeje dhe të të gjitha familjeve së bashku.







All the contents on this site are copyrighted ©.