2009-01-20 18:37:30

Betohet Barak Obama: "Zgjedhim shpresën në vend të frikës". Telegram i Papës Benedikti XVI


(20.01.2009 RV)RealAudioMP3 Duke i siguruar lutjen e tij për mandatin si president i SHBA-ve, Papa Benedikti XVI shpreh, në një telegram dërguar Barak Obamës, dëshirën që kreu i ri i shtetit të nxisë “mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe paqen ndërmjet kombeve”.
Papa i lutet Zotit që presidenti i ri amerikan të marrë përsipër përgjegjësitë e tij me mençuri dhe forcë dhe i uron SHBA-ve të vazhdojnë të mbajnë gjallë trashëgiminë e tyre fetare e politike dhe parimet etike të nevojshme për të bashkëpunuar në ndërtimin e një shoqërie me të vërtetë të drejtë e të lirë, në të cilën të respektohet dinjiteti, barazia dhe të drejtat për çdo anëtar, në veçanti për të varfërit, të mënjanuarit e për ata që nuk kanë zë. Pikërisht në këtë moment, kujton Ati i Shenjtë, kaq shumë vëllezër e motra në botë aspirojnë të lirohen nga varfëria, uria e dhuna.
Ndërkaq, në Uashington, rreth dy milion vetë morën pjesë në ceremoninë e hyrjes së presidentit të 44-t amerikan në Shtëpinë e Bardhë. Megjithëse temperatura ishte mjaft afër zeros, askush nuk mungoi në momentin kur presidenti i ri u betua mbi Biblën e Linkolnit.
Amerika zgjodhi shpresën në vend të frikës: kështu e filloi fjalimin e vet Barak Obama. Një fjalim, që i ftoi amerikanët të ndjekin një kulturë të tipit të ri, të shfrytëzojnë mundësinë për ndryshime, të përveshin mëngët për t'u dhënë të gjithëve një jetë dinjitoze. Ky është vendi i të gjithëve, theksoi presidenti i ri, i cili premtoi marrëdhënie të reja me Islamin, largimin e shpejtë nga Iraku, kritikoi ashpër ata që e shkatërruan ekonominë për shkak të papërgjegjësisë e të ambicieve, u dha një mesazh të qartë terroristëve se do të ndeshen me shpirtin e përtërirë amerikan, për të cilin vlejnë akoma idealet e etërve themelues, të panegociueshme për hir të sigurisë. Premtoi gjithashtu të punojë për të zgjidhur problemin e ngrohjes së planetit, por sidomos i dha popullit amerikan sigurinë se sfidat që ka përpara do të përballohen me përgjegjësinë e një kombi të madh e të rëndësishëm.
Pavarësisht nga tonet entuziaste, sot ishte një ditë historike jo vetëm për SHBA-të. Deri 40 vjet më parë e madje edhe tani, në shumë shtete të këtij vendi të madh akoma nuk është arritur integrimi i plotë i zezakëve në shoqëri, e megjithatë, një president me lëkurë të zeshkët ngjitet në fronin më të lartë të presidencës. Të dëgjojmë komentin e prof. Xhon Harper të Universitetit “Xhon Hopkins” në Bolonja të Italisë:
Sigurisht që është një ditë historike: pak mendonin se do t’ia arrinin kësaj dite pesë ose dhjetë vjet më parë. Dëshmon faktin se marrëdhëniet racore në Amerikë janë përmirësuar, gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit. Edhe pse Obama nuk ka marrë shumicën e votave nga elektorati i bardhë, gjithsesi ka fituar mbështetjen vendimtare të një pjese të rëndësishme të tij, e kjo, sigurisht, është një fakt domethënës.
Profesor, Obama jep mesazhe shprese, bashkimi, premton masa për një barazi më të madhe shoqërore. Gjithsesi, gjen një vend në ankth për krizën ekonomike e ka përpara sfida të rënda edhe në arenën ndërkombëtare. Objektivisht, ç’mund të realizojë?
Kam frikë se disa gjëra që priten nga Obama nuk do të realizohen, sepse realiteti në të cilin ai duhet të punojë është i ndërlikuar dhe me shumë pikëpyetje. Për shembull, në sistemin politik amerikan është gati e pamundur të ndiqet një politikë e jashtme dinamike dhe ambicioze sëbashku me një politikë të brendshme të të njëjtit lloj. Atij do t’i duhet të përqëndrohet pa tjetër në çështjet e brendshme, ku, sipas meje, mund të bëjë diçka për të vënë në lëvizje ekonominë amerikane, por ndërkaq, pa tjetër, do t’i duhet të lërë mënjanë disa sfida të jashtme, të paktën për momentin. Pastaj, ai vepron brenda parametrave të pranuara si nga Klinton, ashtu edhe nga Xhorxh Bush: janë parametrat e politikës së jashtme amerikane të tipit “perandorak”, që do të thotë me impenjime në çdo kënd të botës. Ata që mendojnë se kjo do të ndryshojë, se do të kemi një kthesë të vërtetë në politikën e jashtme amerikane, do të mbeten të deziluzionuar. Parashikoj më tepër vazhdimësi se sa ndryshime në nivelin e politikës së jashtme.
Profesor Harper, imazhi i SHBA-ve si superfuqi botërore është mjegulluar pak gjatë këtyre viteve. Tani, bota po e sheh Amerikën me një sy tjetër. Me Obamën ndoshta kthehemi tek përmasa e Amerikës si lokomotiva e shpresa e demokracive të globit?
Sigurisht, Obama do të përpiqet t’i realizojë këto shpresa, të mos i deziluzionojë njerëzit. Për shembull, vetëm fakti se është në Shtëpinë e Bardhë u çon të gjithëve një mesazh shprese. Por, siç thashë, në thelb është e vështirë që të ndryshojë kurs radikalisht, për shembull në Lindjen e Mesme: është e vështirë. Mundësia e manovrimit është e vogël e kam frikë se nuk do të kemi ndryshime të rëndësishme. Gjithashtu, Obama ka ndërmend të vazhdojë me më tepër energji luftën në Afganistan, e për mendimin tim, ky nuk do të jetë një vendim i mirë. Por është gati i detyruar – meqë dëshiron të largohet nga Iraku – të mos e lërë mënjanë, të mos e braktisë Afganistanin.
Të flasim për pikat e kontaktit me Evropën. A janë vërtet kaq të forta?
Po. Në krahasim me administratën e kaluar, ka më tepër pika takimi e simpatie në nivelin kulturor, ndërmjet Obamës dhe evropianëve. Ato janë kriza e ambientit, Protokolli i Kiotos për problemin e ngrohjes së planetit, mbyllja e burgut të Guantanamos etj. Por, është e vërtetë edhe se Obama ka shumë mundësi t’u kërkojë më shumë evropianëve: për shembull, impenjimin në Afganistan e në Lindjen e Mesme. Nuk e di nëse kërkesa për të bërë më shumë, për të dërguar më shumë ushtarë, do të pritet mirë në Evropë. Mund të parashikohen mosmarrëveshje e tensione mbi këtë pikë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.