2009-01-19 18:23:02

Nesër hyn zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë, presidenti afro-amerikan Barak Obama


(19.01.2009 RV)Gjendja në Lindjen e Mesme pret pa dyshim hyrjen e presidentit të ri amerikan, Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë e përcaktimin e qartë të politikës së jashtme të SHBA-ve. Me ceremoninë e nesërme, në orën 12.00, do të fillojë zyrtarisht presidenca e afro-amerikanit të parë të zgjedhur në fronin, që dikur ishte i Xhorxh Uashingtonit.
Ndërkaq, dje, vetë Obama, i cili ndodhet tashmë në Uashington, paralajmëroi se për të zgjidhur problemet e vendit do të duhen vite e jo muaj. Në fjalimin që do të mbajë nesër, pritet të përurojë të ashtuquajturën “kulturë të përgjegjësisë” si në ekonomi, ashtu edhe në politikë e, t’u kërkojë aemrikanëve të përveshin mëngët, duke qëndruar më të bashkuar se kurrë. Mbi përparësitë e presidentit të 44-t të SHBA-ve, të dëgjojmë Xhuzepe Mamarelën, profesor nderi i Universitetit të Stanfordit në Kaliforni:
Do të thosha se shqetësimet e para të Obamës do të jenë pa dyshim ato të ekonomisë. Për momentin, dimë se ka ndërmend të ulë taksat – flasim për kontribues me më pak se 250 mijë dollarë në vit – pastaj, pritet një program ndërhyrjesh në infrastrukturë, si rrugë, ura, autostrada etj. Por duhet pyetur nëse këto punime të mëdha do të arrijnë të absorbojnë papunësinë, që vjen sidomos nga sektori terciar – bankat, industria etj… Pikëpyetjet e tjera kanë të bëjnë me koston e parasë, tashmë me interes zero, e ndoshta edhe me ndërhyrjet e tjera e me kërkesat e tjera për fonde.
Cili do të jetë roli i SHBA-ve në zgjidhjen e krizave ndërkombëtare, sidomos në Gazë?
Tashmë, SHBA-të ndërhyjnë në një moment në të cilin zgjidhja e problemit të Gazës ka marrë formë. Evropa ka marrë pjesë aktivisht në këtë zgjidhje e amerikanët duhet të mbështesin e të pranojnë vendimet e marra.
Skuadra e Barak Obamës për politikën e jashtme përbëhet nga Hilari Klinton e Robert Gejts, por edhe nga dy negociatorë ekspertë: Denis Ros, i cili ka qenë ndërmjetësues pikërisht në Lindjen e Mesme e nga Riçard Holbruk, ndërmjetësues në Ballkan. A ekziston një plan, një linjë, një platformë për krizën palestineze?
Nuk besoj. Të paktën për momentin aktual. Më duket se edhe vendet evropiane përfshihen në një situatë që nuk është e qartë, prandaj çështja mbetet e hapur. Natyrisht departamenti i shtetit po përforcohet. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi Hilari Klinton ka bërë një seri emërimesh me prestigj të jashtëzakonshëm për çdo sektor, për çdo skenar të politikës ndërkombëtare, prandaj ka shumë mundësi që diplomacia ta rifillojë punën me më tepër forcë.







All the contents on this site are copyrighted ©.