2009-01-19 18:20:26

Armëpushim në Gazë. Izraeli vazhdon tërheqjen e Hamasi feston.


(19.01.2009 RV)RealAudioMP3 Rripi i Gazës kaloi natën e dytë në qetësi, falë armëpushimit të deklaruar veç e veç nga Izraeli e Hamasi, ndërsa vazhdon tërheqja graduale e trupave të Tel Avivit. Tri javët e operacionit “Plumbi i shkrirë” shkaktuan vdekjen e 1.300 palestinezëve. Egjipti i ka ftuar palët, gjithnjë të ndarë nga njëri-tjetri, në një takim që do të zhvillohet të enjten në Kairo. Qëllimi është të konsolidohet armëpushimi. Ndërkaq, dje në mbledhjen e Sharm El Sheikut, krerët e shtetit e të qeverive të gjashtë vendeve evropiane si edhe përfaqësues të OKB-së e Turqisë konfirmuan mbështetjen politike për planin egjiptian dhe u impenjuan në asistencën humanitare për popullsinë palestineze. Gjithashtu, premtuan të rindërtojnë 4.000 pallate të shkatërruara në Gazë. Sot, presidenti egjiptian Mubarak ndodhet në Kuvajt për një takim arab me natyrë ekonomike, ku do të përfshihet edhe një sesion për gjendjen në Rripin e Gazës. Pikërisht nga kjo mbledhje, presidenti palestinez Abu Mazen u bëri thirrje fraksioneve palestineze të mblidhen në Kajro për të zgjidhur divergjencat ndërmjet tyre dhe kërkoi një qeveri të bashkimit kombëtar e zgjedhje të reja. Por, sa influencë ka Abu Mazen për zgjidhjen e krizës? Përgjigjet në mikrofonin tonë, Xhorxho Bernardeli, gazetar italian, ekspert i Lindjes së Mesme:
Të mos harrojmë se në mesin e kësaj lufte skadoi mandati i presidentit Abu Mazen. Sigurisht, bashkësia ndërkonbëtare dëshiron ta përfshijë atë në zgjidhjen e krizës, por duhet të kemi të qartë një gjë: e vetmja mundësi që kjo përfshirje të jetë reale është marrëveshja me Hamasin. Është marrëveshja e brendshme ndërmjet fraksioneve palestineze, e vetmja mënyrë për ta rikthyer Autoritetin Palestinez në Gazë. Kjo është paradoksale, pasi ndihet si nevojë në fund të një lufte, që u zhvillua një vit e gjysëm pas fillimit të bojkotimit të Hamasit. Në fakt, kjo luftë e ka hedhur poshtë atë lloj politike. Dikush ka thënë se kjo është lufta e parë për pavarësinë e Gazës: në fakt, sot të gjithë e kanë njohur Hamasin si organizata, që qeveris Gazën. Mbi këtë pikë duhet reflektuar tani.
Një krizë me aspekte të theksuara politike, që në të vërtetë ka shkaktuar një emergjencë të jashtëzakonshme humanitare, e cila pret ndihma nga jashtë…
Sigurisht! Të vetmit që e kanë humbur luftën janë civilët e Gazës, që kanë paguar një çmim tepër të lartë. Çelësi për të ndryshuar situatën është kontrolli, me bashkësinë ndërkombëtare në kufi, që të çbllokojë ato kalime, të cilat kanë shkaktuar urinë e këtyre muajve e kanë krijuar shumë shqetësime për popullsinë civile të Gazës. Nuk mund të dilet nga kriza pa një zgjidhje të qëndrueshme edhe të këtij problemi, sepse përndryshe ky armëpushim nuk ka asnjë mundësi të sjellë, s’po them paqen, por të paktën një situatë qetësie në afate të mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.