2009-01-18 12:34:36

Përkujtojmë sot Shën Priskën, Martire.


(18.01.2009 RV)Nuk është e lehtë të flitet për jetën e martires romake, ndonëse për të kemi një mori dokumentesh të lashta. E kjo, sepse ka shumë mundësi që njoftimet, të cilat duken sikur flasin për të, i përkasin tri martireve të ndryshme: asaj vetë; Priskës, gruas së Akuilës, të cilën e kujton Shën Pali Apostull dhe një shenjtoreje tjetër me të njëjtin emër, që nuk përmendet më në kalendaret kishtare.
Nga Aktet e martirizimit të Shën Priskës, mësojmë se ajo duhet ta ketë derdhur gjakun për Krishtin nën perandorin Klaudi (268-270).
Sipas gojëdhënës, ajo qe nxënësja e parë e Shën Pjetrit. U pagëzua në moshën trembëdhjetë vjeçare nga vetë Princi i Apostujve dhe e kurorëzoi dashurinë për Krishtin me palmën e martirit, duke u bërë gruaja e parë e perëndimit, që e dëshmoi fenë në Jezusin Zot me martirizim. Prej këndej emri Priska – e para. Martires së parë romake iu pre koka dhe u varros në katakombet e Prishilës, më të lashtat e Romës, prej nga trupi i saj u mbart pastaj në Aventin.
Kisha e lashtë e Shën Priskës në Aventin, një stoli e vërtetë ndërmjet antikiteteve të shumta romake, lartohet mbi themelet e një shtëpie të madhe të shekullit II, gjë që është provuar edhe nga gërmimet arkeologjike. Duhet të ketë qenë shtëpia e vashës romake, që dha jetën në lule të moshës për Krishtin.
Sidoqoftë sot Kisha e nderon Priskën martire si ‘fryt i parë i apostullimit të Peshkatarit të Galilesë’ dhe si themeluesen e Kishës romake me të njëjtin emër, për të cilën na flet epitafi i shkruar mbi një rrasë varri të shekullit V, që ruhet në kiostrin e Bazilikës së Shën Palit jashtë mureve të Romës.







All the contents on this site are copyrighted ©.