2009-01-18 12:34:02

E Diella e dytë mbas Diftimit (Koment).


(18.01.2009 RV)Liturgjija e Meshës së soçme paraqet të parën mrekullí të Krishtit e njiherit fillesën e jetës së tij publike. Âsht edhe rasa më të cilën ndërmjetsija e Zojës në planin hyjnuer të Shëlbimit diftohet e plotfuqishme para të Birit të vet Zot.
Në zemër të vet nane, plot dashtëní ndaj të Birit e plot ambëlsim ndaj nesh, i kujtohet ngushticës së dhandrrit, qi në sofrën e darsmës kishte mbetë pa venë. I sjellet Krishtit dhe, para kohet, nxjerrë prej tij mrekullinë e shndërrimit t’ujit në venë.
Me praninë e vet në darsmën e Kanës, Krishti shêjtnon kunorën, tue e naltue, kështu, bashkimin e ligjshëm të burrit e të grues në Sakramend të Testamendit të Rí e, këndej, në gurrë hiri e themel të ripërtrîmit të shoqnisë njerzore. Me mrekullinë e parë Ai çpall para njerzëve hyjninë e vet dhe njiherit pushteden ndërmjetëse të Zojës. Kjo, në saje të Shëlbuesit, Zotnues mbi tana kreatyrët, Mbret fuqí–plotë, Mesí i premutem dhe Zot (Antifona e të Hymit, Psalmi mbas Letrës e Kushtesa), mbas Krishtit, âsht e gjithpushtedëshme për hir.
Nji mrekullí e gjashme me atê, qi na paraqet Ungjilli i soçëm, por shpirtnisht shum mâ e lartë, vërtetohet vazhdimisht në jetën tonë të hirit. Krishti përmirëson natyrën njerzore, tue e naltue atê në natyrë të vet; shndërron natyrën tande, tuj të bâ tý, i krishtênë, gjymtyrë të trupit të vet; ndërron dita- ditës, në flijen e elterit bukën e venën në Mish e Gjak të vet për të kenë Ai vetë ushqimi yt, jeta jote, gjallnija e rritja jote e mbinatyrëshme e njiherit sigurija e shëlbimit tand.
Jé gjymtyrë e Krishtit e mos harrò se, në trupin mistik të tij, Zoti të ka caktue nji mision, nji barrë, nji detyrim (Letra). Diftou në jetë tande tokësore i dêjë për kaq e madhní dhe mbaju përherë ngjitë me Krishtin me anën e dashtënisë ndaj tij e ndaj t’afërmit.

 Meshari i të kremteve, Perkthye dhe zhvillue prej At Danjel Gjeçajt OFM, Romë 1966, fq. 108-109
 







All the contents on this site are copyrighted ©.