2009-01-18 12:32:36

Dita botërore e emigrantit dhe e refugjatit: Kisha ua hap dyert gjithë njerëzve, pa dallim race, kulture etnie


(18.01.2009 RV)Tema e Mesazhit të sivjetëm të Papës për Ditën botërore të emigrantit dhe të refugjatit: “Shën Pali emigrant, Apostull i Popujve’, u zgjodh në përkim me Jubileun e dymijëvjetorit të lindjes së Shenjtit. Emigrant tipik, i lindur nga hebrenj emigrantë të Tarsit, të vendosur në Cilici, u edukua në gjuhën hebraike, greke e latine dhe e kaloi gjithë jetën duke u endur deteve të Lindjes së afërme e rrugëve të Evropës, derisa arriti në Romë, i nisur nga Antiokia, ku i kumtoi Ungjillin popullsive që i përkisnin judaizmit e ku dishepujt e Krishtit u thirrën për të parën herë ‘të krishterë’. Pali ia kushtoi gjithë jetën përpjekjes për ta bërë Jezusin të njohur e të dashur në gjirin e të gjithë popujve sepse në Të, mbarë popujt janë të thirrur të bëhen një popull i vetëm.
E ky është edhe sot, në epokën e globalizimit, misioni i Kishës, mision që u drejtohet të gjithë emigrantëve, studentë jashtë vendit, refugjatë e të shpërngulur, duke përfshirë këtu edhe viktimat e skllavërisë moderne. Edhe sot duhet propozuar mesazhi i shëlbimit me të njëjtin zell, që pati Apostulli dymijë vjet më parë, duke pasur mirë parasysh situatat shoqërore e kulturore si dhe vështirësitë e secilit emigrant e endacak. Kështu shprehet Papa në mesazh e në vijim i porosit të gjitha Kishat të ushqejnë të njëjtin zell që pati Apostulli, për t’u kumtuar të gjithëve dashurinë shpërblyese të Atit, duke fituar një numër sa më të madh njerëzish për Krishtin. E kjo, sepse, siç shkruan Shën Pali në Letrat, Kisha nuk përjashton askënd; përkundrazi, i ka dyert të hapura për të gjithë besimtarët, pa dallim kulture e race: çdo i pagëzuar është gjymtyrë e gjallë e Korpit të vetëm të Krishtit. Prandaj - porosit Papa - nuk duhet ta harrojmë kurrë dashurinë vëllazërore për të gjithë e gatishmërinë për t’i dhënë ndihmesën tonë çdo njeriu, që ka nevojë për ne. E urdhëri i dashurisë - përfundon Ati i Shenjtë - ushqehet kur dishepujt e Krishtit marrin pjesë të bashkuar në tryzën e Eukaristisë, që është sakramenti i vëllazërimit e i dashurisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.