Sot - 541 përvjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut
(17.1.2009 RV)Sot më 17 janar bie 541 përvjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar
Shqiptar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Atletit të Krishtit e të krishterit të flaktë,
sikur e quajtën Papët e Romës. Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët
më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një
ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborret e ushtrisë osmane,
më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet, si një burrë i madh shteti, që
udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit vet shqiptar kundër pushtuesit osman, i cili
punoi edhe për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar . E pikërisht
me Kuvendin e Lezhës më Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbër
të organizuar – as para tij as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën
e bashkimit. Për 25 vjet me rradhë Skënderbeu mbrojti lirinë e popullit dhe të vendit
të vet dhe lufta e tij pengoi përhapjen osmane drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen
e Shteteve Evorpiane dhe të Papatit të Romës që kur ka qenë gjallë dhe shumë më tepër
pas vdekjes. Në qiellin shqiptar emri i Skënderbeut ka qenë një yll polar për
gjithë brezat pasardhës, burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u
pasur në betejat e ndryshimeve për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin
e hapur, rrugën e përparimit. Në figurën e pavdekshme të Gjergj kastriotit Skenderbut,
populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit,
të lirisë, të atdhedashurisë, të harmonisë e të demokracisë.