2009-01-16 17:45:53

Fjalimi i Papës drejtuar Trupit Diplomatik: reflektim i imzot Pietro Parolin


(16.01.2009 RV)RealAudioMP3 Vijon jehona e fjalimit që Benedikti XVI i drejtoi, të enjten e kaluar, Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë Apostolike për urimet e vitit të ri. Papa bëri përsëri thirrje për paqen, duke nënvizuar se është shumë e rëndësishme t’u rikthehet shpresa të varfërve. Me këtë rikthim shpresash lidhet edhe reflektimi i imzot Pietro Parolin, zevendës-sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet:

Përgjigje: - Papa e përsëriti këtë thirrje, sepse paqja dhe zhvillimi janë vlerat themelore për burrin e për gruan e të gjitha kohëve e të gjitha vendeve. Janë gjithnjë caqe ku duhet arritur, ditë për ditë. Në një farë mënyre, mbeten kantiere përherë të hapura, nga të cilat varet vetë ardhmëria e bashkëjetesës njerëzore. Me gjithë përpjekjet e shumta, paqja aq e dëshiruar është ende larg. E kur s’ka paqe, është në rrezik edhe siguria. Siguria nuk garantohet vetëm kur heshtin armët, por edhe e kryesisht, kur respektohet dinjiteti i njeriut, kur respektohen të drejtat e tij themelore, siç thoshte Pali VI në Enciklikën ‘Populorum Progressio’, të cilën e citoi Benedikti XVI në fjalimin e tij: “Sot emri i paqes, është ndarja e barabartë e burimeve natyrore; ndarja e barabartë e pasurive të tokës; e emri i paqes është edhe zhvillimi i barabartë i të gjithë popujve”.

 
Pyetje: - Për të ndërtuar paqen – kujton Benedikti XVI – duhet t’u rikthehen shpresat të varfërve. Papa kujton edhe se duhet kërkuar një strategji, e aftë për të luftuar urinë e për të krijuar kushtet e përshtatshme për zhillimin bujqësor lokal. Ju mendoni se vendet e ndryshme të botës janë në gjendje dhe kanë vërtetë dëshirë për arritjen e këtyre qëllimeve kaq të rëndësishme?

Përgjigje: - Po, besoj se qeveritë janë në gjendje t’i vënë në jetë këto strategji, të afta për ta luftuar urinë e për ta lehtësuar zhvillimin e bujqësisë, ndonëse të vetëdijshme se rezultatet nuk varen vetëm nga përpjekjet e nga impenjimi i tyre. Sidomos besoj se fjalët plot guxim e realizëm, me të cilat Papa përshkroi problemet ekonomike, do t’i inkurajojnë të gjithë njerëzit, të cilët e kanë për zemër paqen, të impenjohen me hov të ri në shërbim të vëllezërve të tyre më të varfër e më nevojtarë.

Pyetje: - Në fjalimin e Papës ndjehet edhe shqetësimi i thellë për varfërinë morale e cila, në vende të ndryshme të botës, shkakton diskriminime të rënda e të dhimbshme kundër mijëra të krishterëve. Në ç’rrugë duhet ecur, sipas jush, për ta zhdukur këtë varfëri, duke pasur parasysh, sidomos, përgjegjësitë e njerëzve që qeverisin?

Përgjigje: - Për të zhdukur persekutimet kundër të krishterëve, autoritetet politike e civile – pohon Papa – duhet t’i japin fund intolerancës dhe shtypjes e t’i ndreqin përsëri vendet e kultit e pronat e tyre të shkatërruara gjatë sulmeve. E më në përgjithësi, thekson se njeriu duhet edukuar me respektin për të gjitha fetë, duke iu kundërvënë çdo forme të urrejtjes e të përbuzjes. Uron, gjithashtu, që në botën perëndimore të mos ushqehen paragjykime armiqësore kundër të krishterëve, vetem sepse, mbi disa çështje, mendojnë ndryshe, por të binden se feja i jep një kontribut të çmuar lirisë e demokracisë.

 
Pyetje: - Në këtë fjalim drejtuar Trupit Diplomatik, Benedikti XVI i kushtoi vëmendje të dorës së parë edhe Kontinentit të Azisë dhe Amerikës Latine, të dy me shqetësime por – siç kujtoi Papa – edhe me progres të dukshëm, që krijon mundësinë për ta shikuar plot shpresë të ardhmen. Është e nevojshme që Kisha, në vitet e ardhshme, t’i ketë në qendër të vëmendjes njerëzit e këtyre zonave?

Përgjigje: - Po, sigurisht. Kisha duhet të vijojë t’u kushtojë burime dhe energji këtyre popullsive, që jetojnë në Kontinentin aziatik e në Amerikën Latine. Kjo nuk është gjë e re: Kisha do të vijojë, si gjithnjë, impenjimin në këto zona, sepse është universale e prandaj askush nuk është i huaj për të. Do të vijojë, prandaj, të ecë përkrah popujve të Azisë, t’i shoqërojë në rrugën e tyre. Do të vijojë të ecë edhe me popujt e Amerikës Latine, duke jetuar së bashku me ta shpresat e shqetësimet, duke ndriçuar ndërgjegjet e duke formuar besimtarë laikë, që vihen në shërbim të së mirës së përbashkët.

 
Pyetje: - Në këtë fjalim, Papa kujton edhe shtegtimin e tij të ardhshëm në Afrikë, pas ndonjë muaji. Ç’mund të na thoni për këtë shtegtim?

Përgjigje: - Personalisht më janë dukur shumë prekëse fjalët që përdori Papa, kur kujtoi vizitën e tij të ardhshme baritore në Afrikë. Nënvizoi se e dëshiron prej kohe këtë takim me vëllezërit e motrat, të cilët shkon t’i përforcojë në fe e t’u japë guxim për ta pranuar Ungjillin, për ta vënë në jetë, për ta jetuar pa lëkundje. Është një shtegtim, në të cilin Papa do të kujtojë se besimi në Hyjin krijues, nuk mund të mos shprehet edhe në respektin për të gjitha krijesat. Kjo për Afrikën do të thotë luftë kundër varfërisë morale e materiale, do të thotë të mbrosh refugjatët e të shpërngulurit, do të thotë të marrësh të gjitha masat e nevojshme për t’i zgjidhur konfliktet në vijim e për t’u dhënë fund padrejtësive, që i shkaktojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.