2009-01-15 17:20:02

Vorrimi i prof Ernest Koliqit - nga Martin Camaj


(15.01.2009 RV)RealAudioMP3 Në mbramjen e 15 kallndorit 1975 u ndal së rrahuni zemra e profesor Ernest Kolqit, papritmas, në shtëpinë e tij në Romë. Lajmi i zi u përhap gjat natës në gjak e gjini, në shqiptarët e shpërndamë nëpër botë dhe në të gjitha katundet arbëreshe të Italisë. Ne nesre gazetat dhe radio italiane në gjuhën shqipe dhanë kumtin e vdekjes së Koliqit tue vu në dukje vlerat e Tij letrare e shkencore si dhe damin dhe shprastësinë që shkakton kjo zhdukje për kulturën shqiptare në vete dhe në lidhje me kulturën evropiane.
Familjes të ndiemit i erdhën telegrame nga të gjitha anat e botës prej miqsh dhe personalitetesh politike të vendit si dhe prej shkencatarësh e njerzsh të artit tue fillue prej datës 16 kallndor e këndej. Telegrame e letra pikllimi mori edhe Fakulteti i Letrave i Universitetit të Romës.
Si mbas dokes shqiptare trupi i Ernest Koliqit u vizitue dhe u ruejt ditë e natë nga të afërm e miq në banesën e Romës deri të shtunën më 18, kur iu dha lamtumira e fundit prej nji mori gjindje. Në ceremoninë e vorrimit kishin ardhë miq e dashamirë nga Shtetet e Bashkueme të Amerikës, nga Turqia, Suedia, Gjermania, Franca dhe Belgjika si dhe prej shumë vendeve të Italisë dhe viseve të tjera.
Nji numër i madh kunorash prej Italisë e vendeve të ndryshme si dhe të afërmve e dashamirëve të Romës zbukuruen rrugën e fundit të Ernest Koliqit tue ia radhitë prej banesës, për të gjat të sheshit përpara shtëpisë, shkallave dhe në hymjen e Kishës të Piazza della Balduina e deri në lëter, ku Atë Danjel Gjeçaj, i asistuem prej papasve arbëreshë, tha meshën përmortore dhe mbajti nji predikim të thekshëm. Nga kjo ceremoni fetare ka për të mbetë përherë në kujtesë tingulli i mallëngjyeshëm i këndimit të korit të Kishës së Shën Athanasit të Romës në gjuhën arbëreshe, ankimet e lutjet plot poezi të liturgjisë lindore dhe ndër to, fjalët e pikëllimit të Monsinjor Fortino-s “për humbjen e vëllaut Ernest”. Pjesë të kësaj liturgjie këndoi Ai shpesh, nji zani me popullin arbëresh, me za të naltë, ndër kishat arbëreshe në Kalabri dhe në Siqili.
Mbas ceremonisë fetare, para derës së tempullit, i dha lamtumirën e fundit profesori i Universitetit të Romës, Ettore Paratore, në emën të rektorit dhe të kolegëve të këtij Universiteti.Marrë nga “Shêjzat”...RealAudioMP3 .







All the contents on this site are copyrighted ©.