2009-01-15 19:02:29

Vijon sulmi i përgjithshëm në Rripin e Gazës, por për Ban Ki Munin paqja është afër.


(15.01.2009 RV)RealAudioMP3 Sot qe një ndër ditët më të përgjakshme në Rripin e Gazës. Izraelitët goditën selinë e UNRWA-s, zyrës që merret me refugjatët, një spital dhe një pallat ku janë strehuar shumë gazetarë arabë. Gjatë natës pati 16 të vrarë ndër të cilët edhe një fëmijë 13-vjeçar. Ban Ki Mun, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së i cili gjendet në Egjipt për ndërmjetësimin e paqes, pasi e dënoi ashpër sulmin kundër godinës së Zyrës për Refugjatët lajmëroi se armëpushimi është afër. Në Kajro po zhvillohen bisedime të ethshme ndërmjet përfaqësuesit izraelit Amosh Xhilad dhe shefit të shërbimit sekret egjiptian, i cili është ndërmjetësuesi i paqes ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve.
“Mendoj se ekzistojnë të gjitha premisat që dhuna të ndalet.” tha ndër të tjera Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun.
Nga ana tjetër ministri izraelit i mbrojtjes Barak, kërkoi falje për sulmin kundër selisë së OKB-së në Gazë duke e quajtur një gabim të rëndë. Deri tani numri i të vrarëve në Gazë ka arritur në 1.100 vetë, një e treta e të cilëve janë gra dhe fëmi.


Gazë: Bashkësia ndërkombëtare bën thirrje për paqe.

Është gjithmonë e më dramatike situata humanitare në Rripin e Gazës. Burimet vendore cituar nga agjencia e lajmeve Sir thonë se popullsia është tashmë në pikën e fundit: mungon ushqimi, uji i pijshëm dhe rryma elektrike. Gjithashtu, kanë shterruar gati rezervat e barnave. Shumëkush po gjen strehim ndër miq dhe të afërm. Popullsia ka frikë se ushtria izraelite mund të përdorë armë të jashtëligjshme si ato me fosfor që shkaktojnë djegie të rënda dhe vuajtje të tmerrshme. Në këtë situatë tragjike, vazhdon papushim puna e Karitasit të Jeruzalemit për t’iu siguruar ndihmë të paktën 25 mijë personave. Në Evropë, ndërkohë, po shtohen thirrjet që kërkojnë përfundimin e dhunës. Në mes të këtyre është edhe manifestimi “Të ndalojmë masakrat”, mbështetur nga organizata të ndryshme humanitare që do të zhvillohet të shtunën e ardhshme në Asizi. Një thirrje e veçantë vjen nga Portugalia, ku rektori i Shenjtërores së Fatimës, Atë Virgjilio Antunes, u bëri thirrje shtegtarëve të luten pareshtur për paqen ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. “Zoti vuan për ndarjen e popullit të tij, ashtu siç prindërit vuajnë për ndarjen ndërmjet fëmijëve të tyre” – tha meshtari, fjalët e të cilit u përcollën nga agjencia e lajmeve Zenit.
Nga ana tjetër Kombet e Bashkuara kërkuan, përveç ndërprerjes së veprimeve ushtarake, edhe dërgimin e një misioni të posaçëm të pavarur, që të hetojë mbi shkeljet e të drejtave njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.