2009-01-15 17:25:53

Papa policisë në shërbim të Vatikanit: Krishti është shpresa e vërtetë, përballë shqetësimeve të sotme të njerëzimit


(15.01.2009 RV)RealAudioMP3 Vetëm Krishti mund të na ndihmojë të ndërtojmë një botë, në të cilën mbretëron drejtësia e dashuria: këtë theksoi sot Papa, duke pritur drejtuesit dhe punonjësit e Sigurimit Publik, që kryejnë shërbimin në Vatikan.
Në këtë takim tradicional të fillimit të vitit, Benedikti XVI e drejtoi vështrimin në vitin e ri 2009, që filloi me shqetësime të reja:
 
“Filloi një vit i ri e të shumta janë parashikimet e shpresat tona, ndonëse nuk mund ta fshehim se në horizont dynden jo pak re, që shqetësojnë mbarë njerëzimin. Megjithatë, nuk duhet të shkurajohemi: madje duhet ta mbajmë gjithnjë të ndezur në zemra flakën e shpresës. Për ne të krishterët, shpresa e vërtetë është Krishti, dhuratë e Atit qiellor për njerëzimin”.

 
Ky kumt u përket të gjithë njerëzve – shtoi Papa - e përbën zemrën e mesazhit ungjillor, sepse Jezu Krishti lindi, vdiq e u ngjall për të gjithë.
Më pas, duke vlerësuar shërbimin e Inspektoriatit, Papa vërejti se të gjithë mund të japin kontributin e tyre për ta shndëruar të keqen në të mirë, duke e parë punën e përditshme jo si barrë, por si mision, si shërbim ndaj të afërmit. Një shërbim i tillë – nënvizoi Ati i Shenjtë – i kryer me dashuri, bëhet lutje, që i pëlqen Zotit; aq më tepër atëherë kur puna është e lodhshme e monotone e, megjithatë, vijon të kryhet me të njëjtin zell, në emër të Krishtit. Pikërisht duke e kryer detyrën e vet të përditshme, çdo i pagëzuar realizon thirrjen për të ecur në rrugën e shenjtërisë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.