2009-01-15 19:01:43

Ipeshkvijtë evropianë dhe amerikano-veriorë: Mjaft me dhunën. Ka ardhur koha për të ndërtuar paqen.


(15.01.2009 RV)RealAudioMP3 Një thirrje tepër e fortë për t’i dhënë fund dhunës në Gazë dhe për paqe në Lindje të Mesme u bë sot nga ipeshkvijtë evropianë dhe amerikano-veriorë që gjenden për vizitë në Tokë Shenjte. Prelatët bëjnë pjesë në grupin e bashkërenditjes së punës të Konferencave Ipeshkvnore që mbështesin Kishën në Tokë Shenjte, organizëm ky që është themeluar në vitin 1998 në Jeruzalem, me kërkesën e Selisë Shenjte.
Në këtë komunikatë thuhet se nuk mund të ketë paqe nëse njerëzit nuk besojnë me të vërtetë tek paqja. Nuk mund të ketë siguri dhe drejtësi nëse këto nuk u garantohen të gjithëve. Mbi domethënien e kësaj nisme le të ndjekim reflektimin e kryeipeshkvit të Liverpulit, Patrik Keli:

Përgjigje: Duhet t’i kërkojmë kujtdo që ka ndikim ekonomik apo politik në këtë botë që të përcjellë fjalët: “Ne shqetësohemi për të gjithë fëmijët e Tokës Shenjte. Duhet të jemi të sigurtë se gëzojnë siguri të gjithë sa janë, pa përjashtim.”
Duhet të merremi me këtë problem. Nuk mund ta harrojmë.

Në komunikatë prelatët bëjnë thirrje për rolin themelor që luajnë besimet fetare në gjetjen dhe rivendosjen e paqes. Gjithashtu ata u kërkojnë shtegtarëve mos ta braktisin Tokën Shenjte, dhe besimtarëve evropianë dhe amerikano-veriorë të vazhdojnë të luten për të krishterët në atë zonë.

Përgjigje: Ne vazhdojmë të pohojmë – gjë që vërtetohet edhe nga shumica e Deklaratave që janë bërë të njohura – se veprimtaria fetare e çdo njeriu është një aspekt i rëndësishëm i jetës së tij. [...] Personalisht, besoj thellësisht se po qe se në këtë tokë do të arrinim të gjenim një mënyrë bashkëjetese për dy popuj dhe tri fé, në paqe me njëri-tjetrin, atëherë do të arrinim të zgjidhnim çdo konflikt me të cilin bota duhet të përballet sot.







All the contents on this site are copyrighted ©.