2009-01-15 17:26:11

Ipeshkvijtë e Iranit priten nga Papa në vizitë ‘ad Limina’.


(15.01.2009 RV)RealAudioMP3 Papa priti sot disa ipeshkvij të Iranit në vizitë ‘ad Limina’. Prelatët kryesoheshin nga imzot Ramzi Garmù, kryeipeshkëv i Teheranit të Kaldejve e kryetar i Konferencës ipeshkvnore iraniane. Në mikrofonin tonë foli për situatën e bashkësisë katolike në këtë vend:

Përgjigje: - Është e nevojshme të them pak fjalë për historinë e Kishës në Iran. Sipas të dhënave tona, Kisha në Iran është fryt i veprimtarisë ungjillëzuese të Shën Tomës Apostull e dishepujve të tij. Kështu zanafilla e saj i takon shekullit I pas Krishtit. Kjo Kishë njohu një lulëzim të jashtëzakonshëm në shekujt e parë. Misionarët, që dolën prej saj, e kumtuan Ungjillin në vise shumë të largëta, si Kina, Koreja e Japonia. Më pas iu nënshtrua persekutimeve të rrepta të Sasanidëve, që vijuan t’i martirizojnë të krishterët për 40 vjet me radhë. Sot është një bashkësi e vogël. Në gjirin e 70 milionë banorëve, të krishterët janë vetëm 100 mijë. 80 mijë janë besimtarë të Kishës armene –ortodokse. Ndërsa katolikët i përkasin tre riteve: Kalde, Armen e Latin. Janë pak, por jetojnë me bindjen që u buron nga fjalët e Jezusit: “Ju jeni kripa e tokës, jeni drita e botës”. E nuk e humbasim shpresën se do të jemi kështu edhe në të ardhmen, ndonëse numri ynë vijon të pakësohet gjithnjë më shumë për shkak të emigrimit të vazhdueshëm. Vetëm Zoti e di si do të jetë e ardhmja e Kishës në këtë vend, por ne shpresojmë se, po t’i qëndrojmë besnikë thirrjes së krishterë, ardhmëria jonë do të jetë e ndritur.







All the contents on this site are copyrighted ©.