(15.01.2009 RV)Një jetë tejet e
begatë me ngjarje e vepra, treguar me pak data: Ernest Koliqi lindi në Shkodër
më 20 maj 1903. 1921 - Perfundoi shkollën e mesme në Bergamo e në Milano,
Itali, dhe u kthye në Shqipëri, ku dy vjet me pas, së bashku me Atë Anton Harapin
dhe Nush Topallin, themeloi gazetën "Ora e Maleve". 1924 - Hyri në Shoqërine
patriotike "Bashkimi", krijuar nga Avni Rustemi. Për shkak te lidhjeve të reja politike,
u detyrua të emigrojë pesë vjet në Jugosllavi, për t'i shpëtuar forcave zogiste, pas
revolucionit të dështuar te Nolit. 1929-36 – U kthye në Shqipëri. Punoi
si mësues në Vlorë e në Shkodër. Në një sërë botimesh periodike dhe veprash, Koliqi
bëhet i njohur si shkrimtar i talentuar i letërsisë shqiptare. 1937 – U
diplomua në Universitetin e Padovës me tezën "Epika popullore shqiptare". 1939-41
– U emërua ministër i arsimit gjatë pushtimit fashist. 1944 – U largua në
Itali, i dënuar nga qeveria e re komuniste, si bashkëpunëtor i fashizmit. 1957
– U emërua drejtues i Institutit te Studimeve shqiptare, të posakrijuar në këtë vit,
si pasues i katedrës se Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës. Në këtë vit, nisi
të botohet edhe revista letrare e Koliqit "Shejzat" në gjuhen shqipe. Më 15 janar
1975 vdiq në shtëpinë e tij romake, në Balduina, i nderuar nga e gjithë bashkësia
shqiptare ne mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Vjershat e para i botoi në
gjuhën italiane, në të përjavshmen studentore"Noi giovani", në Bergamo; gjatë mërgimit
në Jugosllavi, botoi poemthin "Kushtrimi i Skanderbeut" me përmbajtje patriotike.
Më pas "Hija e maleve" e "Tregtar flamujsh", kryevepra të tij e të novelës në gjuhën
shqipe. Me vlerë të madhe janë edhe përkthimet: "Poetët e mëdhaj të Italisë". Vijoi
botimet duke nxjerrë në dritë më 1959 "Kangjellat e Rilindjes"; më 1960 romanin "Shija
e bukës së mbrume", ku ndjehet fuqimisht dashuria e mërgimtarit për tokën e vet. Në
poezi Koliqi na la edhe vëllimin "Gjurmë stinësh" (1933), "Symfonia e shqipeve",
e "Pasqyrat e Narçizit", me shtatë poemtha në prozë. Sot njihet si një ndër prozatorët
më të mëdhenj. Mjaftojnë dy përmbledhjet me tregime "Hija e maleve" (Zarë, 1929)
dhe "Tregtarë flamujsh" (Tiranë 1935) që Koliqi të zerë kryet e vendit në prozë, bashkë
me Mitrush Kutelin: njëri mjeshtër i madh i traditës së kallëximit verior, tjetri,
i rrëfimit jugor. Në tregimet e tij rijeton Shkodra, tashmë e harruar, me zakonet
e gjuhën e saj plot ngjyra ylberi. Sipas mendimit kritik, Konica cilësohet "nismëtar
i prozës moderne shqipe", ndërsa Koliqi, "themelues i prozës moderne shqipe". Studiuesi
Aurel Plasari, shkruan: “Po ta gjykonim një gjysmë shekulli të letërsisë shqipe me
rreptësinë e Kurtiusit (Curtius), do të na shfaqej parasysh i hirtë e i ftohtë "zinxhiri
i pashkatërrueshëm i një tradite mediokriteti," mbi të cilin ngrihen kryeveprat e
jashtëzakonshme, "Pasqyrat" e Koliqit, "Tat Tanushi" i Kutelit, "Dranja" e Martin
Camajt, që e kapërcejnë realitetin e një historie letërsie”. Ernest Koliqi vazhdoi
traditën e të mëdhenjve të shkollës letrare të Shkodrës, pasi u ushqye me kulturën
poetike klasike dhe moderne e asimiloi kulturën poetike arbëreshe. I dëbuar nga
Atdheu, i marrë nëpër gojë për pikëpamjet e tij politike, i mohuar deri si artist,
i djegur nga malli për t’u rikthyer fizikisht në Atdhe, vijon të presë në varrezën
romake ‘Prima Porta’, nën një rrasë mermeri të kuq, i rrethuar nga njerëz të huaj,
i mbuluar me dhe të huaj, nën një qiell të huaj - rikthimin në Atdhe - ndërsa vepra
e tij nuk u largua kurrë prej Shqipnie e,sidomos, prej Shkodre.....