2009-01-15 17:18:27

Ernest Koliqi “Bijës s’ime”


(15.01.2009 RV)RealAudioMP3 Poich’io non spero di tornar giammai...
Guido Cavalcanti

Shko ti...

Mbasi qi stina po rrshet tatpjetë
e fort un tutem se atdhén n’kët jetë
me sýt adhruesa ,
qi pajadá
ia çmuen hirin
s’kam për ta pá,
shko, ti, lum bija, n’at Shkodrën time
kúr n’terr do t’sosem
me trup e andrrime:
atjè si t’gjindesh, sýt e mij n’báll
t’andin do t’hapen:
n’tý kam m’u ngjáll.
Për mue ti Shkodrën,
për mue sodite;
mallin
e sjellun dhe n’vorr,
shafite.
Shkodra me shpija ndry n’avullija,
t’qetat oborre plot land’ shatorre,
kumbulla e manda, pjergulla e tanda,
sodit me at afshin qi kishe un gjáll -
me mall t’im n’zêmër
me sý
t’mij
n’báll.

Jehona e së shkuemes

 
Me réze t’derës qi t’parvet t’onë
dorën u a njofti,
zgjo nji jehonë
përtîse n’skutat mâ t’mshefta t’shpís
qi flên
tu’andrruemun ditt e lumnís.
T’mdhajat dritore hapja çardakut
me ersín le t’ngîhet
t’lulemustakut
qi prej oborrit nëpër múr zgjatet
e mbrenda gêmat me i shtîm
orvatet.

Dhuratat e vjetra

Shko drejt te dhoma
ku gjyshja e jote -
nji zoj’ bujare dhe njerziplote -
mue gjí tue m’dhânun,
n’prêhen tue m’rritun,
dashtnisht
m’a rreshku shpirtin e mitun
me nji të zjarrshëm
et bukurije
qi m’dhuroi ândje,
epshe lavdije,
por dh’e përsolli krejt jetën t’ime
me psime t’holla e
t’thella shqetime.
Thith at erë arkash paje e musandrash,
kujtim i âmbël nusesh e dhandrrash,
stinash hirplote t’kohës së shkueme
kur n’djepa tundej nji brezní e lume.

Ersimet e shpís

 
Përmallshëm
siellu npër shpí vetare
përshkue me âmsime jete shqiptare,
shetit banesën gjithkah, moj njome,
mos lên pa vrejtun asnjë skâj dhome,
sepsè
ndër skâje mbet e harrueme
era e reçelit dh’e bukës s’mbrueme,
fryma e ‘i gjinije bekue prej Zotit
q’endi aty jetën
nder stina t’motit.

Nji lvitje flatre

 
Ndoshta ndër dhoma,
n’çardak,
n’ rrugina
prap tue valvitun ndien melodina:
një lvitje dridhun flatre qi çilet
e n’kopshtin tretet
ndër lulevilet:
shfrimet e para jan’t’prillit t’êm
kur m’kndonte zêmra
si bylbyl
n’gêm.

Roja e shpís

 
N’ahër, lum bija
t’lutem me zbritë:
n’kandin mâ t’errshëm, qi s’pau kurr dritë,
kadalë
avitu
dhe shif
a del
gjarpni qi mshehej dikúr n’themel:
âsht roja e vjetër
e shpís atnore,
n’gurt e themelit
ora pajtore:
mejher’ tue t’njoftun
ka me t’përshndetë
mbi bisht
i ngrejtun
me krye përpjetë
dhe pse s’t’ka pâmun kurr,
n’er’t’gjakut
ai ka me t’njoftun
si bij’ e oxhakut.

Dera e përtrime

 
Gjáll po qe
n’ahër vitorja e bardhë,
gzou
bijë e ime,
pse n’mot për t’ardhë
do t’lulzoj’ rishtas
e t’parvet dera
me hove t’reja
me gaze tjera
dhe shpirti,
q’etënt n’tê kan dikue,
me tharme nderi
prap ka me vlue
n’báll të pinjojve ku si n’pasqyrë
do t’ ndrisi gjaku
qi ké n’fytyrë.
Nuk jan’ kurr zhdukun n’rrib’ shekullore
doket jetike t’gjindes arbnore:
prap dyert
ku u ruejtën zakonet t’ona
do t’lumnojn rishtas n’stinat mâ t’vona.


Romë, prill 1964

Bija e vetme e Ernest Koliqit, Elizabeta Koliqi Olivieri, së cilës i la trashigim emrin e ‘Zojës bujare e njerziplote shkodrane’ e sidomos, këtë gur të çmueshëm, me vlerë të pallogaritshme, vdiq pak muaj më parë në shtëpinë e saj, në rrethinat e Romës, pasi pati parë duke vdekur, pa lënë fëmijë, të vëllain, birin e vetëm të Ernestit, Mark Koliqin.







All the contents on this site are copyrighted ©.