2009-01-14 17:50:55

Sot në Qytetin e Meksikos filloi Takimi VI botëror i familjeve


(14.01.2008 RV)Sot, në Qytetin e Meksikos, filluan punimet e Takimit VI botëror të familjeve me temë “Familja e edukon njeriun me vlera humane e kristiane”, organizuar nga dikasteri papnor përkatës. Takimin e hapën kardinali Enio Antoneli, kryetar i Këshillit Papnor për familjen dhe kardinali Norbert Rivera Karrera, kryeipeshkëv i Qytetit të Meksikos. Ditën e parë, dhjetëmijë pjesëmarrësit po e kalojnë me çaste lutjeje e reflektimi, me këngë e himne, lexime nga Shkrimi Shenjt, tryeza të rrumbullakta e dëshmi. Referatet e ditës së parë (kujtojmë se ora e Meksikës është gjashtë orë mbrapa asaj evropiane) do të mbahen nga dy personalitete kishtare të njohura botërisht, Atë Raniero Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore, që do të flasë kryesisht për marrëdhëniet dhe vlerat e familjes, sipas Biblës, dhe kardinali kanadez Mark Uelet, kryeipeshkëv i Kebekut, që do ta vërë theksin mbi zbulimin e vlerave të familjes në botën e sotme, mbi vlerat e harruara ose të braktisura tepër shpejt në vitet e kaluara.
Në tryezën e parë të rrumbullakët të ditës do ta marrin fjalën përfaqësues të lëvizjeve e të shoqatave në mbrojtje të familjes, që do të sjellin përvojën e veprimtarisë së tyre në famulli e në shkolla. Do të japin dëshmi edhe disa drejtues të Regnum Christi, të Rrugës neokatekumenale, të Fokolarinëve e të Lëvizjes Shënshtat.
Takimi botëror i familjeve do të zhvillohet në tri faza: në fillim, Kongresi teologjiko-baritor, që do të ketë në qendër të vëmendjes disa probleme të mprehta, si marrëdhëniet e vlerat familjare, familjen e seksualitetin, rolin edukativ të familjes e çështje të tjera shumë aktuale.
Faza e dytë është ajo e kremtimit të së shtunës pasdite, kur mijëra e mijëra besimtarë do të mblidhen në Shenjtëroren e Zojës së Guadalupes për të thënë së bashku Rruzaren Shenjte.E treta, kremtimi eukaristik i së dielës, kryesuar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, i dërguar i Benediktit XVI. Priten më se një milion pjesëmarrës.







All the contents on this site are copyrighted ©.