2009-01-14 17:52:59

Papa në audiencën e përgjithshme: nga Krishti vjen forca e Kishës


(14.01.2009 RV)RealAudioMP3 Krishti qëndron mbi çdo formë të pushtetit, që mund ta poshtërojë njeriun, e t’i përkasësh Kishës, do të thotë të jesh pjesë e korpit të tij dhe nën mbrojtjen e tij në çdo situatë e në çdo fatkeqësi. Gjatë katekizmit, kushtuar Shën Palit prej disa muajsh, sot Papa u ndalua posaçërisht tek Letrat e Apostullit drejtuar Kolosianëve e Efesianëve.

“Ekzegjeza i njeh si ‘Letrat binjake’. E kjo, sepse më se një e treta e fjalëve, që Shën Pali ia drejton bashkësisë së Kolosianëve, janë pothuajse të njëjta me ato që lexojmë në Letrën drejtuar të krishterëve të Efezit. Por, mbi të gjitha, sepse përmbajnë disa nga konceptet themelore të mësimeve dymijëvjeçare të Kishës: Krishti ‘kreu’ i Kishës, në kuptimin e prijësit e edhe të jetëdhënësit – por edhe Krishti, zotëria i kozmosit, e Kisha, nusja e Krishtit. Benedikti XVI shpjegoi sot pikërisht këto koncepte-bazë të mësimit të Shën Palit, duke nënvizuar se të dyja Letrat:

“Na dorëzojnë një mesazh jashtëzakonisht pozitiv e të frytshëm. Këtë: Krishti nuk ka pse të ketë frikë nga asnjë konkurrues i mundshëm, sepse qëndron mbi çfarëdo forme të pushtetit, që do të mendonte ta poshtëronte njeriun. Vetëm Ai na deshi e dhuroi vetveten për ne. Prandaj, në se jemi të bashkuar me Krishtin, nuk duhet të kemi frikë nga asnjë armik e nga asnjë fatkeqësi; por kjo do të thotë se duhet të lidhemi fort me Të, pa u shkëputur kurrë. Më duket se kjo është shumë e rëndësishme edhe për ne, që duhet të mësohemi t’i bëjmë ballë të gjitha frikërave, sepse Ai është mbi çdo sundim, është Zotëria i vërtetë i botës”.

 
Si ‘gjurmë’ e Hyjit’, Krishti është edhe zotëria i kozmosit - tha Papa - duke kujtuar ikonografinë bizantine, e cila shpesh e paraqet – në absidet e Kishave - si Pantokràtor, të ulur lart, mbi botën mbarë. Një vizion – vërejti Ati i Shenjtë - që mund të konceptohet vetëm nga Kisha, për dy arsye:

“Si për arsyen se Kisha e pranon që, në një farë mënyre, Krishti është më i madh se ajo, me që zotërimi i tij shtrihet edhe përtej kufijve të saj, ashtu edhe sepse vetëm Kisha cilësohet si korpi i Krishtit, e jo kozmosi. E gjithë kjo do të thotë se ne duhet t’i shikojmë me sy pozitiv realitetet tokësore, sepse Krishti i përmbledh në vetevte, e njëkohësisht duhet ta jetojmë plotësisht identitetin tonë të veçantë kishtar, që është më afër identitetit të vetë Krishtit”.

 
Sundimi i Krishtit mbi Kishën – nusen e tij të vërtetë e mbi kozmosin – vijoi Benedikti XVI - në fund të fundit është shenjë e planit të pashqyrtueshëm hyjnor mbi fatet e njeriut, të popujve e të botës. Me një fjalë, që Shën Pali e përdor shumë shpesh – është mister. E për ta kuptuar këtë mister, Papa i ftoi besimtarët t’i hapin më shumë sytë e zemrës, sesa të mendjes:

“Me këtë gjuhë të dy letrat na thonë se kuptimi i këtij misteri gjindet në Krishtin. Në se jemi me Krishtin, edhe pse me mendje nuk mund ta kuptojmë gjithçka, e dimë se jemi në bërthamën e ‘misterit’ e në rrugën e së vërtetës(…) e, duke e ditur mirëfilli se shumë sende qëndrojnë mbi aftësitë tona racionale, duhet të kemi besim tek kundrimi i përvujtë e i gëzueshëm jo vetëm i mendjes por edhe i zemrës. Etërit e Kishës na thonë se dashuria kupton shumë më tepër sesa vetë arsyeja”.

 
Prandaj – përfundoi Papa - në një kohë si kjo jona, shpesh neopagane e përplot me të gjitha llojet e frikërave, sundimi i Krishtit na mëson se s’duhet të kemi kurrfarë frike, ndërsa duhet të kemi marrëdhëniet e drejta me Krijimin:

“Në se nisim të kuptojmë se kozmosi është gjurma e Krishtit, mësojmë të krijojmë marrëdhënie të drejta me kozmosin e me të gjitha problemet e mbrojtjes së tij. Mësojmë ta shikojmë me arsye, por me një arsye që vihet në lëvizje nga dashuria, me përvujtëri e respekt, që na krijojnë mundësitë të veprojmë në mënyrë të drejtë”.

 
Në përfundim të audiencës së përgjithshme e të përmbledhjes së katekizmit, sot në tetë gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI u drejtoi një përshëndetje të posaçme pjesëmarrësve në Takimin botëror të familjeve, punimet e të cilit u hapën sot në Meksikë:

"Urojtha Papa - që kjo ngjarje e rëndësishme kishtare të tregojë edhe një herë bukurinë dhe vlerën e familjes, duke ngjallur tek të gjithë, energji të reja në favor të kësaj qelize të pazëvendësueshme të shoqërisë e të Kishës”.
 
E në përkim të plotë me këto fjalë kushtuar familjeve që jetojnë Ungjillin, ishte edhe çasti prekës, kur Papës iu afrua vogëlushi Pjetër Shilirò, fëmija që u shërua mrekullisht me ndërmjetësimin e të Lumëve Luigji e Zelia Martin, babai e nëna e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, të lartuar në nderimet e elterit më 19 tetorin e kaluar, reliket e të cilëve këto ditë po nderohen nga besimtarët në Bazilikën e Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.