2009-01-13 16:11:12

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë Shenjte pranë OKB-se dënon dhunën në Gazë e sulmet e fundamentalistëve


(13.01.2009 RV.)Imzot Silvano Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë Shenjte pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë shpreh solidaritetin e Selisë Shenjte me popullin palestinez dhe atë izraelit dhe denoncon njëherësh sulmet terroriste si edhe ato izraelite.
Me 9 janar, gjatë sesionit të nëntë të OKB mbi shkeljen e të drejtave njerëzore në Rripin e Gazës, Imzot Tomazi iu drejtua të pranishëmve me këto fjalë:
"Delegacioni i Selisë Shenjte dëshiron të shprehë solidaritetin e vet si me popullsinë e Gazës që po vritet e po vuan për shkak të një sulmi ushtarak të Forcave të Armatosura Izraelite ashtu edhe me popullsinë e Zderotit, Ashkelonit dhe atë të qyteteve të tjera izraelite që gjenden nën sulmet e vazhdueshme të militantëve palestinezë brenda Rripit të Gazës, të cilët kanë shkaktuar të vrarë dhe të plagosur.
Patriarkët dhe Kryetarët e Kishave të Jeruzalemit e shpallën të Shtunën e kaluar ditë lutjeje me qëllim që t’i jepej fund konfliktit në Gazë dhe paqja dhe drejtësia të rikthehej në Tokën Shenjte. Të gjithë këta kryetarë besimesh i bëjnë thirrje të dyja palëve që të vijnë në vete dhe të tërhiqen nga të gjitha llojet e dhunës.
Ati i Shenjtë Benedikti XVI, të shtunën e kaluar nënvizoi se refuzimi i dialogut ndërmjet dy palëve çoi te vuajtje të pashprehura për popullsinë e Gazës.
Zoti kryetar, - tha imzot Tomazi - është e qartë se palët ndërluftuese nuk janë në gjendje të dalin vetë nga ky rreth vicioz dhune pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila duke iu përmbajtur detyrave të veta duhet të ndërhyjë aktivisht për ndalimin e gjakderdhjes, t’u hapë rrugën ndihmave humanitare dhe t’u japë fund të gjitha llojeve të hakmarrjeve”.

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, imzot Tomazi e përfundoi fjalën e tij duke cituar një pjesë nga fjalimi i Papës Benediktit XVI në takimin me diplomatët e akredituar pranë Selisë Shenjte me 8 janarin e kaluar, i cili tha se ndërhyrja ushtarake nuk është kurrë zgjidhja e problemeve dhe se dhuna ngado që të vijë duhet dënuar pa mëdyshje.







All the contents on this site are copyrighted ©.