U hap në Vatikan simpoziumi i organizuar nga Pendestaria Apostolike: me ne kardinali
Xhejms Frensis Staford.
(13.01.2009 RV)Takim akademik,
që vë në dukje natyrën, strukturën dhe funksionet e Pendestarisë Apostolike – dikasteri
më i vjetër i Kuries Romake, e sidomos, kuptimin e Sakramentit të Rrëfimit. Këto janë
qëllimet e simpoziumit dyditor me temë “Pendestaria Apostolike dhe Sakramenti i Rrëfimit:
rrugët historiko-juridiko-teologjike dhe perspektivat baritore”. Është ngjarja e parë
e këtij lloji, që filloi sot në Pallatin e Kancelarisë së Vatikanit e do të përfundojë
nesër. Hera e parë që Gjykata e Pendestarisë Apostolike organizon një takim të kësaj
natyre, siç na e shpjegon kardinali Xhejms Frensis Staford, kryetar i dikasterit:
Përgjigje:
- Ç’kuptim ka puna baritore e Gjykatës sonë? Pse Kisha, me urtinë e saj, e krijoi
këtë zyrë; këtë gjykatë të mëshirës? Shpresoj se këtyre pyetjeve do t’u jipet përgjigjja
e duhur gjatë këtyre dy ditëve të takimit e të shkëmbimit të mendimeve.
Pyetje:
- Zyra, që kryesoni, është më e lashta e Selisë së Shenjtë; e nisi veprimtarinë
që nga shekulli XII. E megjithatë dihet pak e aspak për veprimtarinë e saj. Pse?
Përgjigje:
- Sfida në katekizmin e Kishës në epokën post–moderne është t’u krijojë burrave
e grave post-modernistë, mundësinë të reflektojnë më thellë për jetën e tyre shpirtërore
e t’i kërkojnë falje Zotit për shpërdorimin e pushtetit, që është në duart e tyre.
Pyetje:
- Jemi dëshmitarë të qëndrimit të ftohtë të shumë njerëzve ndaj Sakramentit të
Rrëfimit. Si mund të ndryshohet kjo prirje?
Përgjigje: - Duhet të rifitojmë
në vizionin tonë të krishterë, përparësinë e jetës kundruese, të heshtjes së njeriut
përballë Zotit, të bisedës shenjte me Zotin e me të tjerët.