2009-01-13 18:22:38

Në Gazë vijojnë luftimet. Hamasi mund të njohë planin egjiptian të paqes.


(13.01.2009 RV)Në Gazë edhe sot vazhduan luftimet ndërmjet militantëve palestinezë dhe ushtarëve izraelitë, tanket e të cilëve hynë në dy lagje periferike të qytetit të Gazës. Gjithashtu pati 22 të vrarë brenda dhe në rrethinat e qytetit, që e çuan numrin e viktimave në 920 që nga fillimi i konfliktit më 27 dhjetorin e kaluar. “Kjo është dita e 18 e luftimeve, të cilat sa vijnë e bëhen më të ashpra” tha presidenti palestinez Mahmud Abaz, i cili akuzoi Izraelin se po përpiqet të asgjësojë popullsinë palestineze.
Ndërsa në planin politik, drejtuesit e komitetit të Hamasit me qendër në Damask deklaruan se ka ende mundësi që Hamasi ta pranojë planin egjiptian për paqen. Egjipti, nga ana e vet, refuzoi kërkesën e Katarit për mbajtjen në Doha të një konference arabe mbi krizën në Rripin e Gazës, pasi ministrat e jashtëm të Lidhjes Arabe do të marrin pjesë në një konferencë që do të mbahet të premten në Kuvajt .
Në një intervistë dhënë televizionit Al Arabia, Musa Abu Marzuk, zëvendëskryetar i zyrës politike të Hamasit tha se ka pasur përparime në pranimin e propozimeve të Hamasit. Deklarata e tij vjen pas asaj të kryeministrit të Hamasit Ismail Hanijeh, i cili dje tha se do të mbështeste çdo nismë për nxjerrjen jashtë të “armikut”. Ndryshe nga Hamasi, organizata tjetër “Xhihadi islamik” është kundër çdo armëpushimi, dhe pohon se armëpushimi shërben vetëm për t’i bërë palestinezët të kapitullojnë.


Cipi Livni: Sulmi izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës është edhe në interesin e palestinezëve. Kështu tha ministrja e jashtme izraelit Cipi Livni gjatë takimit me delegacionin Komitetit Hebraik Amerikan, cituar nga gazeta izraelite “Harec”. Sipas ministres Livni suksesi i operacionit izraelit do t’i ndihmojë të gjitha forcat e moderuara politike, përfshi edhe ato palestineze që besojnë te paqja dhe bashkekzistenca e dy shteteve.


“Izraeli respekton Kombet e Bashkuara dhe ndjek zhvillimet diplomatike, por megjithëkëtë sulmi në Gazë do të vazhdojë deri në arritjen e synimeve.” Këtë pohoi sot ministri i mbrojtjes izraelite Ehud Barak gjatë vizitës në bazën ajrore izraelite të Palmahimit. “Si synim vijon të jetë ai i rivendosjes së qetësisë në jug” shtoi ndër të tjera ministri i mbrojtjes Ehud Barak. Dje Ban Ki Mun, - i cili nesër do të vizitojë Egjiptin, - kërkoi respektimin e plotë të armëpushimit në Gazë sipas rezolutës së Këshillit të Sigurimit miratuar javën e kaluar.

Hamasi përgatitet të njohë planin egjiptian të paqes. Në një intervistë dhënë televizionit Al Arabia, Musa Abu Marzuk, zëvendëskryetar i zyrës politike të Hamasit tha se ka pasur përparime në pranimin e propozimeve të Hamasit. Deklarata e tij vjen pas asaj të kryeministrit të Hamasit Ismail Hanijeh, i cili dje tha se do të mbështeste çdo nismë për nxjerrjen jashtë të “armikut”. Ndryshe nga Hamasi, organizata tjetër “Xhihadi islamik” është kundër çdo armëpushimi, dhe pohon se armëpushimi shërben vetëm për t’i bërë palestinezët të kapitullojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.