2009-01-13 18:09:11

Nesër në Qytetin e Meksikos fillon Takimi VI botëror i familjeve


(13.01.2009 RV)RealAudioMP3 Nesër në Qytetin e Meksikos do të hapet Takimi VI botëror i familjeve, organizuar nga dikasteri papnor përkatës, kryesuar nga kardinali Enio Antoneli. Punimet do të përfundojnë të dielën e ardhshme, më 18 janar. Tashmë qindra mijëra përfaqësues të familjeve, nga të katër anët e botës, kanë arritur në Meksikën e largët e janë gati t’i përcjellin të gjitha familjeve të planetit, përvojën e tyre, në një çast vërtetë kritik për jetën e këtij instiucioni themelor e të pazëvendësueshëm sepse, siç tregon edhe tema e e shumëdëshiruar nga Benedikti XVI: “Familja e edukon njeriun me vlera humane e kristiane”.

 
Qyteti i Meksikos, së bashku me Kishën e tij, është mësuar me ngjarje të mëdha. Para Jubileut, priti me krahë hapur më se dymijë meshtarë, ardhur nga gjithë bota, që përgatisnin jubileun e madh të vitit 2000. E deri më 2002, Qyteti i Meksikos e priti gjithnjë me fe dashuri Papën Gjon Pali II, që e vizitoi vendin pesë herë me radhë: më 1979, ’90, ’93, ’99 e 2002. Edhe Guadalahara fqinje kremtoi, ndonjë vit më parë, Kongresin eukaristik ndërkombëtar, pikërisht në përfundim të viti kushtuar Eukaristisë.

Meksika, gjithnjë besnike, që nesër bëhet qendër e jetës së Kishës universale: në fillim, me një Kongres teologjiko-baritor, që do të ketë në qendër të vëmendjes disa probleme të mprehta, si marrëdhëniet e vlerat familjare, familjen e seksualitetin, rolin edukativ të familjes e çështje të tjera shumë aktuale. Do të vijojë, pastaj me kremtimet e së shtunës pasdite e të së dielës paradite, kur mijëra e mijëra besimtarë do të mblidhen në Shenjtëroren e Zojës së Guadalupes për të thënë së bashku Rruzaren Shenjte e për të ndjekur kremtimin eukaristik të së dielës, kryesuar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, i dërguar i Benediktit XVI. Në Kongresin teologjik ndërkombëtar pritet të marrin pjesë rreth 10 mijë specialistë, ndërsa në kremtimet e së shtunës e të së dielës, më se një milion pjesëmarrës. Urohet që ky Takim botëror i familjeve të ushtrojë një ndikim të fuqishëm mbi programet e ardhshme ligjore e baritore në vendet e Amerikës së Veriut, të Qendrës e të Jugut në mbrojtje të jetës e të familjes. E në se moti i mirë duket që në mëngjes, atëherë mund të shpresojmë se kjo do të bëhet realitet, e jo vetëm në Amerikën Latine.Së fundi, po kujtojmë fjalët e Benediktit XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot, të dielën e kaluar:

Ngarkova kardinalin Sekretar të Shtetit të më përfaqësojë, por unë vetë do të jem shpirtërisht i pranishëm në këtë ngjarje të jashtëzakonshme, duke e shoqëruar me lutje e duke i drejtuar fjalën përmes një video-konference”.







All the contents on this site are copyrighted ©.