Kalendari kishtar përkujton Shën Hilarin e Puatjesë, ipeshkëv e dijetar i Kishës
(13.01.2009 RV)Hilari, i lindur
në Puatje të Francës rreth vitit 315, ishte pagan që kërkonte me etje dritën e nevojshme
për të gjetur kuptimin e jetës. Kërkimin e nisi në doktrinat neoplatonike, për të
arritur, më pas, tek Bibla, tek krishtërimi, tek drita. Pronar fisnik tokash, i martuar
e me një vajzë, pas pagëzimit u zgjodh ipeshkëv i Puatjesë. Luftoi herezinë ariane,
duke shkruar disa vepra, më e famshmja e të cilave është ‘De Trinitate’. Në këtë vepër
ipeshkvi shenjt mbrojti në mënyrë të pakundërshtueshme besimin në Trininë e në Hyjninë
e Krishtit. Shkroi edhe komente të shquara të Psalmeve e të Ungjillit sipas Mateut.
Por, me që arianët ishin nën mbrojtjen e perandorit Kostanci, i cili i miratoi vendimet
e sinodit arian, mbajtur në vitin 356 në Béziers, ipeshkvi i Puatjesë u internua
në Frigji, ku kaloi katër vjet. Edhe gjatë këtyre vjetëve vijoi t’i thellone studimet:
mësoi greqishten, zbuloi veprat e Origjenit dhe gjithë prodhimin e Etërve lindorë,
duke siguruar, kështu, një dokumentim të dorës së parë për librin ‘De Trinitate’ që
i dha titullin Dijetar i Kishës. Ishte traktati më i rëndësishëm e më i thellë i
shkruar deri asokohe mbi dogmën kryesore të fesë së krishterë. E nuk u mjaftua me
kaq: nga internimi, sulmoi me guxim të jashtëzakonshëm atë që ia kishte në dorë vetë
jetën, perandorin Kostanci, duke e kritikuar ashpër, pse pretendonte të sundonte edhe
Kishën e pse përzjehej në diskutimet teologjike e në punët e brendshme të disiplinës
kishtare, të cilat nuk i takonin. Si u rikthye në seli, ipeshkvi guximtar rifilloi
veprimtarinë baritore. Pati si bashkëpunëtor ipeshkvin e ardhshëm të Turit, Shën Martinin.
Vdiq në vititn 367. Mbeti në kujtesën e Kishës si polemist i mprehtë e guximtar, por
edhe si Atë e Bari i vërtetë i grigjës që i qe besuar. Njerëzor në luftë e më se njerëzor
në fitore, mbrojti gjithnjë ipeshkvijtë që e pranonin gabimin, duke u njohur edhe
të drejtën të vijonin veprimtarinë në selitë e tyre. Piu IX e shpalli ‘Doktor i Kishës’. Emri
Hilar vjen nga latinishtja e do të thotë ‘gëzim’. Simboli i shenjtit është shkopi
baritor