2009-01-12 11:50:36

Solemniteti i Pagëzimit të Krishtit na kujton rilindjen për një jetë që s' ka mbarim.


(11.01.2009 RV)RealAudioMP3 Sot në mesditë, pa marrë parasysh erën e akullt dimërore, në Sheshin e Shën Pjetrit nuk mungoi turma e shtegtarëve dhe e besimtarëve, mbledhur për të thënë së bashku me Papën Benedikti XVI lutjen e Engjëllit të Tënzot në solemnitetin e Pagëzimit të Krishtit.
Koha e Krishtlindjes dhe e Dëftimit u mbyll me festën e sotme të Pagëzimit të Zotit në lumin Jordan. Ungjijtë përkojnë në dëshminë, sipas së cilës kur Jezusi doli nga ujët, mbi Të pushoi Shpirti Shenjt në formën e pëllumbit dhe nga lart u dëgjua zëri i Atit Qiellor që thoshte: " Ti je im Bir- Djali i dishirit! Ty të miratova!"
I ngatërruar ndërmjet turmave të pendestarëve, Jezusi i kërkoi Gjonit të pagëzohej, duke e hutuar pamasë vetë Paraardhësin e tij. Por pikërisht ky gjest na dëfton sesa i veçantë ishte mesianizmi i Jezusit, që kishte ardhur për të kryer vullnetin e Atit Qiellor, duke u bërë viktimë për shlyerjen e mëkateve tona.
Solidariteti i përvujtur me mëkatarët do ta çonte Jezu Krishtin në vdekjen mbi kryq. E pikërisht zhytja në vdekjen e në ringjalljen e Krishtit e çliron njeriun rrënjësisht nga mëkati e nga vdekja dhe realizon një lindje të re, sipas Shpirtit Shenjt, për një jetë që s' ka mbarim.
RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI u përcolli besimtarëve edhe gëzimin që i buronte nga kremtimi i mëparshëm në Kapelën Sikstine, ku sapo kishte pagëzuar disa të posalindur, duke përtërirë edhe sivjet një traditë të lashtë. Kujtojmë se Pagëzimi i fëmijëve, aq i dashur për traditën e krishterë, na bën ta kuptojmë menjëherë natyrën e vërtetë të shëlbimit. Shëlbimi është hir, është dhanti e falur nga Zoti. Është gjithnjë Zoti ai që na do i pari, Ai që e pagoi shpëtimin tonë me gjakun e të Birit.
Për këtë arsye, është e mira që prindërit e krishterë të nxiten për t'i çuar bijtë e tyre në gurrën e Pagëzimit, në mënyrë që, në fuqi të fesë së Kishës, të marrin dhantinë e madhe të jetës hyjnore. Edhe vetë prindërit, pastaj, me shembullin, lutjen e mësimin e tyre, janë edukatorët e parë të fesë për fëmijët, duke ndihmuar që filizi të arrijë pjekurinë e plotë.







All the contents on this site are copyrighted ©.