(12.01.2009 RV)Sipas përshkrimit
të martirizimit të tij, Arkadi mbylli sytë në Akajë, por të gjitha dëshmitë tjera,
që përkojnë plotësisht me njëra-tjetrën, vërtetojnë se duhet të jetë martirizuar në
Çezaré të Mauritanisë, në Afrikë. Në se mund të arrihet në një përfundim të saktë
për vendin ku u martirizua, nuk është aq e lehtë të përcaktojmë edhe kohën kur e dëshmoi
me gjak fenë në Krishtin. Mendohet të ketë vdekur rreth vitit 304, gjatë persekutimit
të fundit pagan. Tërbimi i persekutuesve ishte ndezur aq, sa mjaftonte vetëm një dyshim
për të përligjur vrasjet masive të të dyshuarve. Procesionet dhe flijimet e përditshme
idhujtare, shoqëroheshin me martirizimin e të krishterëve, prandaj Arkadi, njeri tepër
i njohur, i neveritur nga krimet barbare që kryheshin para syve të tij, iku në Çezare.
Por mungesa e tij ra shpejt në sy. Atëherë ushtarët arrestuan një nga pjesëtarët e
familjes, duke e përdorur si peng, për ta detyruar të kthehej. Arkadi u kthye menjëherë.
U paraqit para gjykatësit, i cili e ftoi të flijonte për nder të idhujve. Po ai nuk
pranoi. Atëherë u dënua me vdekje të ngadalshme, të shkaktuar nga torturat më të tmerrshme
që njiheshin në atë kohë.Sipas martiriologëve latinë, festa e Shën Arkadit kremtohet
më 12 janar, ndërsa në martiriologët lindorë emri i tij nuk përmendet. Dokumenti më
i çmuar i kultit të Shën Arkadit është predikimi që i kushton Shën Xenoni, ipeshkëv
i Veronës, i cili ka mundësi të ketë qenë me origjinë afrikane. Duket qartë se Shën
Xenoni pati një devocion të madh për Arkadin e besohet se ishte ai vetë që i solli
Aktet e martirizimit të Shenjtit në Veronë, gjë që kujtohet që në fillim të panegjirikut
të ipeshkvit kushtuar Shenjtit.