Jezuiti shqiptar, Atë Anton Xanoni, në 147 vjetorin e lindjes (1862-1915)
(12.01.2009 RV)Atë Anton Xanoni,
i njohur edhe me emrin Ndoc Xanoni, lindi në Durrës më 12 janar 1862, por që fëmijë
u shpërngul në Shkodër, ku u rrit në gjirin e etërve jezuitë. Si kreu shokollën e
mesme, duke parë talentin e tij, jezuitët e dërguan të kryente studimet e larta në
Kuvendin Kartuzian Porta Coeli në veri të Valencies, në Spanjë (1883), në Kraljevicë,
në bregdetin dalmat (1884), në Kremonë të Italisë (1886) dhe në Kolegjin Gregorian
në Krakovi të Polonisë (1890-1892). Më 1892 u shugurua meshtar në Krakovi dhe dy vjet
më pas në u kthye Shkodër për të kryer misionin meshtarak e për të dhënë gjuhë shqipe
në Kolegjin Saverian, ku kishte kryer studimet edhe vetë, trembëdhjetë vjet më parë.
Më 1896, para se të kthehej në Shqipëri, dha mësim një vit në kolegjin Gregorian në
Kier, në juglindje të Torinos në Itali. Atë Xanoni, së bashku me poetin e gjuhëtarin
e shquar, dom Ndre Mjedën (1866-1937) si dhe me të vëllanë e tij, imzot Lazër Mjedën,
ishte anëtar aktiv i shoqërisë letrare Agimi, themeluar më 1901, e cila punonte
për nxitjen e krijimeve letrare në gjuhën shqipe, duke përdorur edhe alfabetin e ri. Ishte
Atë Anton Xanoni ai që vendosi normat e retorikës dhe të stilit të shkrimit në dialektin
verior të shqipes, në një shkollë me ndikim si Kolegji Saverian, norma që i parashtroi
në Prîsi në lâmë të letratyrës, Shkodër 1911-1912. Ai mbante qëndrim purist
në shkrimin e shqipes, ishte idhtar i zëvendësimit të shumë huazimeve nga italishtja,
turqishtja dhe sllavishtja me rrënjë fjalësh më të lashta shqipe. Si autor vjershash,
prozash letrare, dramash e punimesh studimore në gjuhën shqipe, që shërbyen si frymëzim
i vazhdueshëm për studentët dhe kolegët e tij shkrimtarë, ai nuk qe vetëm novator
në gjuhë, por edhe stilist i shkëlqyer për kohën kur jetoi. Nga viti 1908 bashkëpunoi
rregullisht me periodikun jezuit Elçija e Zemers t'Jezu Krisctit me artikuj
për historinë, letërsinë, kulturën dhe politikën, por edhe me tregime të shkurtra
e me vjersha apo përkthime, që pëlqeheshin shumë. Mbeti në histori edhe për veprat
Gramatika shqyp, Shkodër 1909, Shkurtorja e historis së moçme, 1910,
e në veçanti për vjershën me frymën e Rilindjes Rrnoftë Shqypnia, kushtuar
shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e mirë e veprës së tij ka mbetur e pabotuar edhe
sot e kësaj dite. Atë Xanoni vdiq në Shkodër më 16 shkurt 1915. Kujtohet si themelues
i shkollës letrare të jezuitëve, si një veteran i arsimit e i kulturës shqiptare.