Sot kalendari kishtar përkujton Shën Agatonin, Papë.
(10.01.2009 RV)U ul në fronin e papnisë më 26 qershor të vitit 678, pikërisht
kur kishte mbushur 103 vjet, duke qenë krejtësisht i kthjelltë. Më 12 gusht mori
nga perandori Kostantin Pagonati një letër, përmes së cilës deklaronte se ishte gati
të rifillonte përpjekjet për të realizuar planin e ribashkimit kishtar të Romës me
Bizantin. Mendonte, prandaj, të mblidhte një konferencë ipeshkvnore, në të cilën të
diskutoheshin problemet më urgjente, që do të çonin në zhdukjen e kundërvënieve, duke
i hapur përfundimisht rrugën bashkimit. Për këtë qëllim perandori i kërkonte papës
të dërgonte disa përfaqësues të tij në Kostandinopojë. Për të përgatitur delegacionin,
Agatoni mblodhi më 27 mars të vitit 680 në Lateran një koncil italian, i cili zgjodhi
përfaqësuesit ipeshkvnorë që do të niseshin për në Bizant së bashku me të dëguarit
e papës dhe miratoi tekstin sinodal, që do të paraqitej në konferencë. Në këtë tekst
pasqyrohej doktrina e dy vullneteve dhe e dy mënyrave të veprimit të Krishtit, duke
kujtuar atë që ishte vendosur në Koncilin Lateranens nga Martini I. Delegacioni
perëndimor arriti në Bizant më 10 shtator të vitit 680 dhe u prit nga patriku Gjergj,
që mori masat për të mbledhur metropolitët dhe ipeshkvijtë Bizantinë. Ajo që u thirr
thjeshtë si konferencë, mori pamjen e një Koncili të vërtetë, i gjashti në Lindje.
Mbledhja u hap më 17 nëntor të vitit 680 në sallën e madhe të pallatit perandorak.
Kryetar i saj ishte vetë perandori, që kishte përkrah dy priftërinj e një diakon romak,
si përfaqësues të papës. Ndërsa në Itali shpërtheu epidemia e murtajës, që shkaktoi
vdekjen e një numri të madh njerëzish, në Kostantinopojë koncili vijonte. Pas 18
seancash u arrit në hartimin e një dekreti që u shpall më 16 shtator të vitit 681.
Në të ripohohej besojma e fesë, e vendour nga pesë koncilet e mëparshme dhe miratohej
njëzëri doktrina e dy vullneteve dhe dy energjive të Krishtit, që nuk ishin në kundështim
me to, duke konfirmuar edhe tekstin sinodal të Lateranit. U dënua edhe herezia monoteistike. Koncili
u mbyll me kërkesën drejtuar papës për të miratuar vendimet e marra. Por Agatoni kishte
vdekur më 10 janar të vitit 681 dhe ishte varrosur në Bazilikën e Shën Pjetrit. Gojëdhëna
tregon se kur i mbylli sytë, ishte 107 vjeç. Agatoni nënshtroi edhe kryeipeshkvin
e Ravenës, Teodorin, i cili i dha fund autoqefalisë së dënuar nga Roma. U interesua
shumë edhe për fatet e Kishës anglosaksone. Magjisteri i tij shquhet për thellësinë
e doktrinës dhe bamirësinë në ndihmë të të varfërve. Është pajtori i Palermos.