2009-01-10 18:25:31

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(11.01.2009 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi solemnitetin e Pagëzimit të Krishtit. Përkujtoi edhe Shenjtorët Igjini Papë, Pjetri i Çezaresë dhe Paolini i Akuilesë.

 
Ta adhurojmë Zotin së bashku me engjëjt e tij, të bindur se Jezusin e kemi pranë çdo ditë, se na flet me dashuri e na fton të ecim pas tij, duke na premtuar një jetë të re. Këtë na kujtojnë Shën Arkadi, Shën Ernesti dhe Shën Antoni Maria Puçi, që do të kremtohen të hënën.

Të martën, Shën Hilari, ipeshkëv i Puatjesë e doktor i Kishës dhe Shën Remigji, ipeshkëv i Reimsit, në festën e përkujtimit të tyre na ftojnë të reflektojmë mbi vlerën e takimit me Krishtin: ta njoshësh Krishtin, ta takosh e t’ia hapësh zemrën, do të thotë ta mbushësh jetën me gëzim e siguri.

Të mërkurën, liturgjia e festës së Shën Feliksit të Nolës, emri i të cilit në shqip ka marrë trajtën Gëzim, dhe e Shën Malakisë Profet na kujton se Krishti kujdeset për ne të gjithë e shpesh na jep edhe shenja të këtij kujdesi, duke i dëgjuar lutjet tona e duke e mbushur shpirtin tonë me praninë e Tij.

Të enjten, Shën Pali, vetmitari i parë, Shën Gjoni Kalibit, murg e Shën Mauri abat, në festën e tyre liturgjike na ftojnë të bashkojmë zërin me atë të Psalmistit në lutjen: “Bëj ta dëgjojmë o Zot, zërin tënd e ta bëjmë fenë, që na u dhurua në pagëzim, të mbushet me bulimin e pranverës!”.

Të premten do të përkujtohen Shën Marçeli I papë e martir e Shën Prishila, matronë romake. Na nxisin të meditojmë për Lajmin e mirë të Ungjillit. Ky lajm, që na u kumtua, kërkon nga ne besnikëri të plotë, edhe atëherë kur e ndjemë veten të paralizuar ose të padenjë për mëshirën hyjnore.

E shtuna është ditëfeste e një prej shenjtorëve më të nderuar në Shqipëri, Shëna Ndout abat, njeriut që u tundua aq shumë e që e mundi tundimin me forcën e Krishtit. Na kujton se nuk duhet të dëshirojmë një kishë ku takojmë vetëm shenjtorë ose njerëz të përkryer, duke harruar se Jezusi erdhi në botë për mëkatarët, për t’i shpëtuar pikërisht ata që kanë nevojë për shëlbim.

E diela e ardhshme është e dyta e kohës së zakonshme liturgjike gjatë vitit kishtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.