2009-01-10 18:26:00

Nga Kisha nëpër botë


(11.01.2009 RV)RealAudioMP3 Të gjitha viset e Tokës Shenjte janë të hapura për shtegtarët
Situata dramatike në Rripin e Gazës, nuk e pengon vijimin e shtegtimeve në Tokën Shenjte. Prej datës 22 dhjetor mijëra shtegtarë e turistë kanë vizituar këto troje, që i përkasin botës mbarë. Në Izrael situata është e sigurtë. Pasiguri ka vetëm rreth Rripit të Gazës, prandaj të gjitha pikat turistike e fetare në veri të vendit mund të vizitohen lirisht. E hapur është edhe rruga gjatë Luginës së Jordanit. Vetëm për të hyrë në zonën e Beniaminit e të Etzionit, duhet leje e posaçme nga qeveria. Gjithashtu mund të hasen pengesa për të hyrë në Gjetseman, por edhe ky vend, aq i dashur për besimtarët, mund të vizitohet, pasi të garantohet siguria e shtegtarëve, gjë që realizohet në kohë rekord.

Në vendet arabe rreth 40% e popullsisë është analfabeteRealAudioMP3
Përfunduan të mërkurën e kaluar në Tuniz punimet e Konferencës zonale, organizuar nga Instituti i UNESKO-s për edukimin e përhershëm me qendër në Hamburg, Zyra e UNESKO-s në Beirut, Organizata Islamike ndërkombëtare për arsimin, shkencën e kulturën si dhe nga qeveria tuniziane, kushtuar arsimimit të të rriturve në Vendet arabe. Takimi, me temë: “Të investojmë në arsimimin e të rriturve’, për ta ndërtuar shoqërinë e vendeve arabe mbi bazën e diturisë”, - lexohet në një notë të ritransmetuar nga Agjensia SIR - analizoi gjendjen aktuale të arsimit në vendet arabe dhe përcaktoi veprimtaritë e ardhshme, posaçërisht në fushën e luftës kundër analfabetizmit. Theksohet se, megjithë përparimet e arritura në arsimin bazë, në 22 vendet arabe më se 40% e popullsië mbi moshën 15 vjeç (rreth 70 milionë vetë) vijon të jetë analfabete.

Indi: bashkëpunim Kishë-qeveri në asistencën e të sëmurëve me SIDARealAudioMP3
Qendra Jevodaia në Dioqezën e Raipurit, e nisi veprimtarinë e vet misionare më 1969, si qendër për asistencën e të gërbulurve, nën drejtimin e etërve palotinë. Sot u shërben të sëmurëve nga tuberkulozi e nga SIDA. Në përurimin e strukturave të reja të Qendrës, të pajisura me të gjitha mjetet për mjekimin e sëmundjeve të kësaj natyre - sipas njoftimit të Agjensisë Fides - foli edhe kryeipeshkvi i Raipurit, imzot Jozef Sharankunel, i cili theksoi: “Këto porta u hapën për herë të parë për të gërbulurit, sot hapen përsëri për të gërbulurit aktualë, domethënë për të sëmurët nga SIDA. Punë e vështirë për Kishën e bijtë e saj. Po misioni kryhet me forcën që u vjen nga Zoti. E ashtu si në këtë rast, jemi të gatshëm të vijojmë bashkëpunimin me institucionet civile për realizmin e projekteve të tjera të asistencës shoqërore”.
Është një përvojë tejet e çmuar, që mund të përhapet edhe në shtetet e tjera të Indisë. Kisha mund të vërë në dispozicion energjitë e saj, personelin rregulltar, strukturat e kompetencat, për të ndihmuar shtresat më të varfëra të shoqërisë indiane, posaçërisht të sëmurët nga SIDA, për të cilët po tregon një kujdes gjithnjë më të madh.

Kisha në Indi i shpreh Papës mirënjohjen për mbështetjen kundër persekutimit antikristian, ndërsa atmosfera në Orisë duket shumë më e qetëRealAudioMP3
Kisha indiane sapo përfundoi periudhën e Krishtlindjes nën kërcënimin, fatmirësisht të pavënë në jetë – për vijimin e dhunës nga ana e integralistëve hinduistë, që muajt e kaluar ushtruan një persekutim të vërtetë, duke shkaktuar zemërimin e mbarë botës e shqetësimin e madh të Benediktit XVI e të Kishës. Rreth 13 mijë besimtarë të Orisës morën pjesë në kremtimet e Krishtlindjes në kampet e refugjatëve, ku vijojnë të jetojnë, në pritje të ndërhyrjes së qeverisë për t’i rikthyer në jetën normale.

Vietnam: ipeshkvi i Vin Long i kërkon qeverisë të dëshmojë me fakte se i mbron fetë. RealAudioMP3
“Dëshmojeni se qeveria i mbron vërtetë të gjitha fetë” - kërkon imzot Tomas Nguen Van Tan nga autoritetet vendase në një letër, përmes së cilës u lyp shpjegime për rrënimin e Kuvendit të Shën Palit të Shartrë dhe të Kapelës përkatëse, me pretekstin e ndërtimit të një hoteli luksi e të një sheshi publik. Tani, aty ku ngriheshin ndërtesat kishtare - shkruan ipeshkvi - është një copë truall i braktisur. Rregulltaret janë ftuar nga qeveria për të diskutuar, por zëri i tyre nuk është dëgjuar fare. Madje është arritur deri atje, sa gazetarët e mjeteve qeveritare të komunikimit t’i paraqesin kundërshtimet e fuqishme të motrave, si miratim të plotë të vendimit të qeverisë. Prej këndej protesta e ipeshkvit: “Tregojeni me vepra, jo me fjalë, se dëshironi t’i mbroni fetë”.

Në Mongoli hapet shkolla e parë katolikeRealAudioMP3
Njoftimin e jep imzot Vençeslao Padila, prefekt apostolik i Ulanbatorit, në një letër dërguar me rastin e Krishtlindjes rektorit të madh të salezianëve, Paskal Çavez Vilanueva. Prelati u shpreh bijve të dom Boskos mirënjohjen për veprën e ungjillëzimit në Mongoli dhe uron që në të ardhmen prania e Kishës në vend të bëhet gjithnjë më e madhe. E pranishme me misionet e para që në vitin 1992, Kisha katolike në Mongoli sot numëron rreth 500 besimtarë. Në letrën e imzot Padilës flitet edhe për veprimtaritë baritore të vitit të kaluar. Ndërmjet tyre, vizita e studentëve universitarë dhe mjekëve të Koresë së Jugut e të Taivanit, të cilët morën pjesë në veprimtaritë e vullnetariatit të Kishës dhe mjekuan të sëmurët e varfër, që banojnë në zonat ku zhvillojnë veprimtarinë e tyre misionarët. Ndërmjet veprimtarive më të rëndësishme të kësaj bashkësie të vogël, por plot gjallëri, është pagëzimi i njëqind besimtarëve dhe hyrja në seminarin e Koresë Jugore të dëshirtarit të parë mongol për rrugën e meshtarisë. Qëllimet parësore për të ardhmen - nënvizohet në letër - janë thellimi i veprimtarisë së Kishës e hapja e shkollës së parë katolike në vend.

Malezi: ndalohet botimi i të përjavshmes katolike ‘The Herald’, sepse përdor fjalën AllahRealAudioMP3
Qeveria e Malezisë ndërpreu daljen e së përjavshmes katolike ‘The Herald’ në gjuhën vendase. Shkaku: ndalohet rreptësisht përdorimi i termit ‘Allah’, në vend të termit ‘Zot’, në një mjet katolik informacioni. Fjala ‘Allah’ - sipas funksionarëve të ministrisë së brendshsme vendase - mund të përdoret vetëm nga myslimanët. E gjithë kjo - nënvizohet në gazetën vatikanase ‘L’ Osservatore Romano’, i bie ndesh haptazi Kushtetutës së vendit aziatik, e cila garanton lirinë e plotë të fjalës dhe të shprehjes. Pastaj duhet shpjeguar edhe se e përjavshmja del në gjuhën maleziane e në këtë gjuhë fjala Zot, Hy apo Perëndi mund të përkthehet me një fjalë të vetme: “Allah’, term që është përdorur për herë të parë në Lindjen e Mesme nga arabët e krishterë e vetëm më vonë, nga Islami.
Në Malezi, vend me 25 milionë banorë, myslimanët përbëjnë 60% të popullsisë; katolikët janë më se 850 mijë, ndërsa lexuesit e së përjavshmes, 50 mijë vetë. Në vendin aziatik shumë pak nga katolikët dinë gjuhën angleze, atë tamil ose mandarine, tri gjuhët e tjera, në të cilat botohet e përjavshmja.

Kubë: Kardinali Ortega bën bilancin kishtar të vitit 2008.RealAudioMP3 “Kriza ekonomike globale i ka rrënjët në ambicien e pamasë, në ethen e pafrenueshme për t’u pasuruar, në egoizmin, që jo vetëm nuk e njeh, por edhe e pengon solidaritetin”. Këtë pohoi ditën e parë të Vitit të Ri 2009, gjatë Meshës së solemnitetit të Nënës së Zotit, në përkim me Ditën Botërore të Paqes, kryeipeshkvi i Havanës, kardinali Xheim Ortega. Ati i Shenjtë - theksoi prelati - na fton ta kemi në qendër të vëmendjes varfërinë materiale e shpirtërore të kohës sonë, sepse pikërisht dhuna shoqërore është shkaku kryesor i mungesës së paqes. Duke folur posaçërisht për vendin e vet, kryeipeshkvi i Havanës kujtoi se misioni i Kishës është një i vetëm: të mbjellë e të rrisë vlera, të ndihmojë familjen si institucion i domosdoshëm, të hapë shtigjet e shpresës duke edukuar njerëz të vërtetë, sepse pa njerëz të vërtetë nuk mund të realizohen planet për përmirësimin e jetës ekonomike, shoqërore e shpirtërore. Kardinali kujtoi edhe arritjet e Kishës kubane, posaçërisht në fushën arsimore, edukative, shoqërore e asistenciale. Ndarja e Kishës nga shteti - theksoi - është sukses i pamohueshmëm, por kjo nuk duhet parë edhe si ndarje e Kishës nga shoqëria. Nuk kënaqemi vetëm me transmetimet televizive e radiofonike - shtoi Hirësia e Tij - kërkojmë hapësirën tonë të vazhdueshme në shtyp, televizion e radio. Nuk mund ta lemë mënjanë misionin edukativ të Kishës, që natyrisht ka edhe përmasa të tjera, ndërmjet të cilave, nismat në ndihmë të pleqve, në një vend që plaket me shpjetësi të rrufeshme, e edhe në ndihmë të nevojtarëve të tjerë. E mira e të krishterit dhe e mira e Kishës është e mira e gjithë popullit tonë - pohoi Kardinali - e m pas kërkoi që Kisha të vijojë misionin edhe në sferën shoqërore, politike e ekonomike të vendit, sfera ku duhen bërë hapa të reja përpara, ndoshta të guximshme, me përfitim për mbarë popullin.







All the contents on this site are copyrighted ©.