Kardinali Ivan Dias kremton, në Romë e në Indi, 50-vjetorin e meshtarisë.
(11.01.2009 RV)“India është e njohur
si demokracia më e madhe në botë, prandaj autoritetet do të dinë t’u përgjigjen si
duhet sulmeve kundër pakicave të krishtera në Orisë e në Karnataka, duke ia rikthyer
famën e një vendi me kulturë e demokraci shekullore”. Këtë pohoi kardinali Dias,
prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, gjatë vizitës së tij në Mumbai,
ku kremtoi 50-vjetorin e shugurimit meshtarak. Përvjetori prekës u kremtua më 9 dhjetorin
e kaluar në Romë – kardinali është shuguruar më 8 dhjetor 1958 – por prelati i lartë
deshi ta kujtonte këtë ngjarje të madhe edhe në tokën ku lindi, me një kremtim solemn
eukaristik, që u mbajt të enjten e kaluar, në praninë e kardinalit Osvald Gracias.
Gjatë kremtimit, kardinali Dias kujtoi persekutimet e reja kundër të krishterëve në
Orisë dhe të vdekurit e Mumbait më 26 nëntorin e kaluar.