2009-01-09 18:47:04

U paraqit Takimi VI Botëror i Familjeve, që do të mbahet në Qytetin e Meksikos


(09 01.2009 RV)RealAudioMP3 Pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë u mbajt sot paradite konferenca për paraqitjen e Takimit VI Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Qytetin e Meksikos më 13 deri më 18 janar. Tema e takimit është “Familja e edukon njeriun me vlera humane e kristiane”. Në takim, ndërmjet të tjerëve, foli edhe kardinali Enio Antoneli, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen.
Kisha e konsideron punën baritore me familjen si një nga detyrat e dorës së parë, e vetë familjen, si levë themelore të ungjillëzimit të ri e si vatër kryesore për transmetimin e fesë. Çdo brezni – tha kardinali – duhet të zgjedhë rrugën e vet fetare, prandaj dëshmitë konkrete nga ana e familjes kanë një vlerë të pazëvendësueshme. Përmes kësaj qelize themelore të shoqërisë – shtoi – kalon e ardhmja e vetë njerëzimit:

“Vlerat themelore, virtytet shoqërore në shumicën e rasteve fitohen nga familja, nga përvoja e ngrohtësisë së familjes, në gjirin e së cilës njeriu e ndjen se e duan e mëson të dojë edhe të tjerët”.

Nga ky shkëmbim vlerash – shpjegoi Hirësia e Tij - rrjedh pasuria e ndenjave njerëzore të solidaritetit, të dinjitetit të njeriut e të drejtësisë. Por misioni i familjes – vërejti – minohet gjithnjë më shumë nga një emergjencë e vërtetë edukative, nga shkëputja e lidhjeve ndërmjet breznive, pasojë e mungesës së vlerave të përbashkëta dhe e relativizmit. Kësaj atmosfere, në të cilën njeriu nuk e ka aspak të lehtë të orientohet, duhet t’i përgjigjen Kisha e shoqëria, duke mbështetur fort familjen:

“Qëllimi kryesor, që duhet arritur, është t’i bëjmë familjet gjithnjë e më të vetëdijshme për rolin e tyre, si subjekt i gjallë, aktiv, veprues në Kishë e në shoqërinë civile. Është e nevojshme edhe që Kisha e shoqëria t’i ndihmojnë familjet, për të qenë subjekt protagonist i ungjillëzimit e i humanizmit”.

 

 
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari mbi krizën e sotme financiare botërore, kryetari i dikasterit të Vatikanit pohoi se misioni edukativ i familjeve nuk varet nga situatat e vështira. Ky mision vijon në çdo situatë, edhe atëherë kur familjes i duhet të kapërcejë vështirësi të rënda:

Ndërmjet dëshmive që do të japim në Qytetin e Meksikos, së paku dy janë pikërisht të familjeve të varfëra, që bëjnë ‘mrekulli’ për t’i edukuar fëmijët e tyre e për të qenë të pranishëm, me shembullin e mirë, edhe në jetën e familjeve të tjera”.

 
Kardinali shtoi, më pas, se është shumë e rëndësishme që familjet të jenë të pranishme në politikë, sepse kështu politikanët mund të njihen së afërmi me problemet e tyre, me sukseset e dështimet, me të drejtat e detyrat, me kërkesat për punë e për shtëpi si dhe me kërkesa të tjera të natyrshme të jetës në gjirin e familjes. Duhet njohur edhe vlera e punës shtëpijake – shtoi kardinali – duke pasur mirë parasysh se nuk ka asnjë farë dallimi ndërmjet punës që bën nëna, e cila nuk paguhet, e punës që bën shërbyesja, që paguhet. Në përfundim kardinali Antoneli pohoi se selia dhe tema e takimit të ardhshëm të familjeve, do të njoftohen nga vetë Papa, gjatë lidhjes televizive pas Meshës Shenjte të së dielës 18 janar në Qytetin e Meksikos.







All the contents on this site are copyrighted ©.