2009-01-09 18:45:57

Shën Adriani i Kanterburit, abat


(09.01.2009 RV)RealAudioMP3 I lindur në Afrikë, Adriani ishte abat i Neridës, kur Papa shenjt Vitalizi e thirri të drejtonte selinë ipeshkvnore të Kanterburit. Por ai nuk pranoi e shprehu dëshirën të zëvendësohej nga Teodori i Tarsit, që u bë më pas një nga kryeipeshkvijtë më të mëdhenj të selisë primate të Anglisë. Papa e pranoi dëshirën e tij, por me kusht që ta kishte si këshilltar e ndihmës. Teodori e emëroi abat të manastirit të lashtë të Shenjtorëve Pjetër e Pal, që më më pas do të merrte emrin e Shën Agostinit. Nën udhëheqjen e Adrianit e ndikimin e Teodorit, manastiri u bë një nga qëndrat më të rëndësishme të formimit për shumë ipeshkvij të ardhshëm dhe ushtroi ndikim të fuqishëm mbi gjithë krishtërimin e kohës. Abati Adrian qe mësues për dyzet vjet me radhë. Dha latinishten, greqishten, të drejtën romake, Shkrimin Shenjt e Etërit e Kishës. Studentët mblidhehsin nga e gjithë Anglia e madje edhe nga Irlanda. E kjo, sepse një nga nxënësit, Shën Aldelmi, më pas ipeshkvi i parë i Sherbornit, ishte i mendimit se mësimi që jepej në manasirin e Kanterburit ishte i një cilësie shumë të lartë e ua kalonte të gjithë shkollave të larta të Irlandës. Shenjti vdiq pranë Kanterburit më 9 janar, në një vit të papërcaktuar, ndoshta në vitin 710 e u varros në manastir. Më 1091, për shak të punimeve për meremetimin e manastrit , u desh të lëvizeshin disa nga varret. U hap edhe varri i Shenjtit e trupi i tij u gjet krejt i patretur. Nga ai trup, që kishte ndenjur për shekuj në varr, në vend të erës së kufomës, përhapej një aromë e këndshme, që fliste vetë për shenjtëri. Populli nisi ta nderonte si shenjt, famë që vijoi për shekuj me radhë, prandaj emri i tij u shkrua në Martiriologun Romak e festa e Shën Adrianit u vendos në datën e vdekjes, 9 janar, ditë e lindjes për qiell.







All the contents on this site are copyrighted ©.