2009-01-08 17:03:38

Papa Trupit Diplomatik: “Paqja është larg, por nuk duhet të shkurajohemi! Sot është në lojë fati i vetë planetit tonë”.


(08.01.2009 RV)RealAudioMP3 Sot në Vatikan u mbajt takimi tradicional i Papës me Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë për urimet e fillimit të vitit. Benedikti XVI analizoi hollësisht ngjarjet kryesore ndërkombëtare, parë në dritën e misterit të shpresës së Krishtlindjes, duke i kërkuar Zotit, për të gjithë, ‘dhuratën e një viti plot drejtësi, qetësi e paqe”.

Së pari Papa kujtoi ata, që gjatë vitit të kaluar vuajtën për shkak të katastrofave natyrore, veçanërisht në Vietnam, Birmani, Kinë, Filipine; në Amerikën Qëndrore e në Karaibe; në Kolumbi e në Brazil, për shkak të konflikteve kombëtare e zonale ose për shkak të atentateve terroriste, që mbollën vdekje e shkatërrim në vende si Afganistani, India, Pakistani e Algjeria. Pavarësisht nga përpjekjet e shumta – tha Papa – paqja aq e dëshiruar, është ende larg. Por kjo nuk duhet të na shkurajojë. Përkundrazi, duhet t’i dyfishojmë përpjekjet për promovimin e sigurisë e të zhvillimit. Prandaj – kujton Benedikti XVI – Vatikani deshi të ishte nga të parët që nënshkruan e ratifikuan ‘Konventën mbi municionet copëtuese’, dokument i cili ka për qëllim të forcojë të drejtën humanitare ndërkombëtare. Papa shikon me shqetësim simptomat e krizës së dukshme në sektorin e çarmatimit e të mospërhapjes së armëve bërthamore, duke vënë në dukje se shpenzimet ushtarake thithin burimet njerëzore e materiale, që mund e duhet të përdoreshin për projektet e zhvillimit e proceset e paqes.
Vëmendja e Atit të Shenjtë përqendrohet tek të varfërit e Planetit, tepër të shumtë. Për të ndërtuar paqen – pohon Benedikti XVI – duke t’u japim shpresë të varfërve si dhe shumë njerëzve e familjeve, të prekura rëndë nga kriza e sotme ekonomike, ndërsa kriza ushqimore dhe mbingrohja klimaterike shkaktojnë në të katër anët e botës, vështirësi të panumërta për sigurimin e ushqimit e të ujit. Është urgjente – vijon Papa – të adoptohet një strategji e aftë për luftën kundër urisë e për lehtësimin e zhvillimit bujqësor lokal, posaçërisht sepse përqindja e njerëzve të varfër në vendet e pasura, është gjithnjë në rritje. Prej këndej, Ati i Shenjtë vlerëson rezultatet e Konferencës së kohëve të fundit, mbajtur në Doha, kushtuar financimit e zhvillimit. Për Benediktin XVI, është e nevojshme t’i rikthehet njerëzimit besimi, që e shëron ekonominë e sëmurë, e kjo mund të arrihet vetëm përmes respektimit të dinjitetit të njeriut. Është objektiv, që kërkon përpjekje serioze – pohon – por jo utopi! Sot, më shumë se dje, ardhmëria jonë është në lojë, ashtu si është në lojë edhe fati i planetit tonë e i banorëve të tij. Në mënyrë të veçantë duhet investuar për të rinjtë, duke i edukuar me idealin e vëllazërimit të vërtetë, me vetëdijen se të gjithë kanë një Atë të vetëm, Hyjin krijues. E ky është mesazhi që Papa u drejtoi të gjithëve gjatë shtegtimeve të tij ndërkombëtare të vitit të kaluar: në Sidnei për Ditën Botërore të Rinisë, në SHBA e OKB, në Lurdë e në Francë. Këtu Papa kujtoi se laiciteti i vërtetë i shoqërisë, nuk e pengon aspak përmasën shpirtërore, as vlerat e saj, sepse feja… nuk është pengesë, por themel i shëndoshë për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më të lirë.

Benedikti XVI denoncon, më pas, diskriminimet dhe sulmet e padrejta, viktima të të cilave, gjatë vitit të kaluar, kanë qenë mijëra të krishterë, shpërdorime që i kanë rrënjët në varfërinë morale. Kristianizmi – ripohon me forcë - është fe e lirisë dhe e paqes, që vihet gjithnjë në shërbim të së mirës së vërtetë të njerëzimit. Shpreh më pas dashurinë e tij atërore për të krishterët, viktima të dhunës, posaçërisht në Irak e në Indi, duke bërë një thirrje të fuqishme që autoritetet t’i japin fund intolerancës dhe shtypjes e t’i ndreqin përsëri vendet e kultit e pronat e tyre të shkatërruara gjatë sulmeve. Uron, gjithashtu, që në botën perëndimore të mos ushqehen paragjykime armiqësore kundër të krishterëve, vetem sepse, mbi disa çështje, mendojnë ndryshe. Ndërsa dishepujt e Krishtit – vijon Papa – përballë këtyre provave, nuk duhet ta humbasin guximin: dëshmimi i Ungjillit është gjithnjë shenjë kundërshtie përballë shpirtit të botës. Në se provat janë të rënda, prania e përhershme e Krishtit është ngushëllim edhe më i fuqishëm. Ungjilli i Tij është mesazh shëlbimi për të gjithë e prandaj nuk mund të mbyllet në jetën private, por duhet të kumtohet nga të gjitha çatitë, deri në skajet më të largëta të tokës.
Edhe një herë Papa kujton ushtrimin e dhunës në Lindjen e Mesme e në Tokën Shenjte, që u shkakton dëme e vuajtje të jashtëzakonshme popullsive civile, duke e ndërlikuar më tej kërkimin e udhës për të dalë nga konflikti ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, gjë që e dëshirojnë shumë prej tyre e mbarë bota. Përsërit edhe se ndërhyrja ushtarake nuk është rrugëzgjidhje e se dhuna, ngado të vijë e çfarëdo forme të ketë, duhet dënuar vendosmërisht. Uron, në vijim, që me impenjimin e bashkësisë ndërkombëtare armëpushimi në Rripin e Gazës të hyjë sa më shpejt në fuqi e të rifillojnë bisedimet për paqe, që duhet të respektojnë dëshirat dhe shpresat e ligjshme të të gjitha popullsive të përfshira në konflikt. Papa kërkon të ndihmohet fuqimisht dialogu ndërmjet Izraelit e Sirisë, ndërsa për Libanin, kërkon mbështetjen, në vijim, të konsolidimit të institucioneve, në frymën e unitetit. Irakianëve u drejton një thirrje për të mos i humbur shpresat e për ta ndërtuar ardhmërinë pa diskriminime racore, etnike e fetare. Përsa i përket Iranit, uron që kundërvëniet lidhur me programin bërthamor, të zgjidhen me rrugën e bisedimeve, në mënyrë që të plotësohen kërkesat e vendit, por edhe të bashkësisë ndërkombëtare. Një rezultat i tillë do të favorizonte shumë për uljen e tensionit zonal e botëror.

Duke i hedhur një vështrim Kontinentit aziatik, Papa shikon me besim rifillimin e bisedimeve për paqe në Mindanao e në Filipine, si dhe hapat e reja përpara në marrëdhëniet ndërmjet Pekinit e Taipeit. Uron, në vijim, përfundimin e konfliktit në Sri Lanka, duke kërkuar t’i kushtohet vëmendje nevojave humanitare të popullsive. Mendon për bashkësitë e krishtera, që jetojnë në Azi, shpesh herë të pakësuara shumë numerikisht, por gjithnjë plot vullnet për të dhënë kontributin për përparimin e vendeve të tyre, duke dëshmuar se vënia mbi gjithçka e Zotit, siguron hjerarkinë e vërtetë të vlerave dhe një liri, që është shumë më e fuqishme se padrejtësitë. Kisha – ripohon – nuk kërkon privilegje, por zbatimin e parimit të lirisë fetare në të gjithë shtrirjen e tij. Parë në këtë këndvështrim, ka shumë rëndësi që në Azinë qëndrore ligjshmëritë për bashkësitë fetare të garantojnë ushtrimin e plotë të kësaj së drejte themelore, duke respektuar normat ndërkombëtare.

Pasi kalon në Afrikë, ku sivjet do të shkojë për vizitë, kujton se Selia e Shenjtë ndjek nga afër ngjarjet e këtij Kontinenti, duke i kushtuar vëmendje të posaçme fëmijëve. E kjo, sepse këtu fëmijët jetojnë dramën e refugjatëve në Somali, Darfur e në Republikën Demokratike të Kongos. Në këto vende, miliona njerëzve, të plagosur rëndë në dinjitetin e tyre, që detyrohen të largohen nga vatrat, u mungojnë të drejtat më fillestare njerëzore. Kanë, prandaj, nevojë për ndihmë të veçantë humanitare. Papa uron që në Somali të riorganizohet sa më shpejt shteti, për të marrë kështu fund vuajtjet e pafundme të banorëve të vendit. Shpreh edhe dëshirën për zgjidhjen e krizës në Zimbabve e në Burundi.

Duke u ndaluar në Amerikën Latine, nënvizon dëshirën e popujve të kësaj zone për të jetuar në paqe, të çliruar nga varfëria, e për të ushtruar lirisht të drejtat e tyre themelore. Flet në favor të emigrantëve lidhur me ribashkimin e familjeve, duke i konsideruar plotësisht të ligjshme kërkesat për sigurinë dhe për respektimin e dinjitetit të çdo njeriu. Lavdëron impenjimin e disa prej qeverive për rivendosjen e ligjshmërisë e për luftën e papajtueshme kundër trafikut të drogës e korrupsionit. Shpreh kënaqësinë për afrimin e Argjentinës me Kilin, tridhjetë vjet pas ndërmjetësimit papnor për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve ndërmjet dy vendeve. Shpreson se nënshkrimi, kohëve të fundit, i Marrëveshjes ndërmjet Selisë së Shenjtë e Brazilit do ta ndihmojë Kishën për ta kryer më lehtësisht misionin e saj ungjillëzues e për ta forcuar më tej bashkëpunimin me institucionet civile për zhvillimin e gjiuthanshëm të njeriut. Detyra e barinjve të Kishës - nënvizon – është t’i ndriçojnë ndërgjegjet e të formojnë laikë të aftë për të dhënë kontributin e tyre në të mirën e përbashkët.
Papa përshëndet, pastaj, bashkësinë e krishterë të Turqisë, duke vënë në dukje se Viti kushtuar Shën Palit tregon lidhjen e ngushtë të kësaj toke me zanafillën e krishtërimit dhe uron të arrihet në zgjidhjen e drejtë e paqësore të krizës në Qipro, në Kaukaz e posaçërisht, në Gjeorgji, ku beson se do të respektohen impenjimet për armëpushim. Në vijim Ati i Shenjtë shpreh dëshirën edhe për pajtimin e popullsive të Serbisë e të Kosovës, që duhet të thellohet, duke respektuar pakicat e pa harruar mbrojtjen e trashëgimisë së çmuar artistike e kulturore kristiane, që është pasuri e mbarë njerëzimit.

Së fundi Papa flet për qeniet njerëzore më të varfëra, për fëmijët që nuk kanë dalë akoma në dritë, e pastaj për të varfërit e tjerë, të sëmurët, pleqtë e braktisur, familjet e ndara. Varfëria – përfundon Ati i Shenjtë - luftohet në se njerëzimi jeton me frymën e vëllazërimit, duke vlerësuar të njëjtat vlera e duke luftuar për të njëjtat ideale, që kanë në bazë dinjitetin e njeriut, lirinë, përgjegjësinë, njohjen reale të vendit që ka Zoti në jetën e njeriut. Benedikti XVI i fton të gjithë t’i drejtojnë sytë nga Jezusi, Foshnja e përvujtë, e vendosur në një grazhd. Ai na tregon se solidariteti vëllazëror ndërmjet të gjithë njerëzve është rruga kryesore për të luftuar varfërinë e për të ndërtuar paqen!

Kujtojmë se sivjet Atin e Shenjtë e përshëndeti, për herë të parë, ambasadori i Hondurasit, Alehandro Emilio Valadares Lanca, dekan i ri i Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, që zuri vendin e ambasadorit Gjovani Galasi.E kujtojmë edhe se Selia e Shenjtë aktualisht ka marrëdhënie diplomatike me 178 shtete. Kohët e fundit lidhi marrëdhënie me Botsavën (4 nëntor 2008) e me principatën e Andorës (12 dhjetor 2008). Selia Apostolike ka marrëdhënie dhe me Bashkimin Evropian si dhe me Urdhërin Sovran Ushtarak të Maltës. Marrëdhënie të natyrës së posaçme ka me Federatën Ruse e me Organizatën për Çlirimin e Palestinës. Merr pjesë edhe në Organizata e Organizma Ndërqeveritare Ndërkombëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.