2009-01-08 17:39:04

Gazë: thirrje dhe ndihma nga shoqatat humanitare


(08.01.2009 RV)“Kam shpresë që të vijë paqja, që kjo luftë të mbarojë sa më shpejt sepse të pafajshmit po paguajnë çmimin më të lartë”. Kështu e komentoi Klodetë Habesh, sekretare e përgjithshme e Karitasit të Jeruzalemit, lajmin se Izraeli dhe Palestina janë gati të diskutojnë për planin franko-egjiptian të paqes. Habesh pastaj fajësoi bashkësinë ndërkombëtare që heshti për ditë me radhë përpara se të ndërhynte në rrugë diplomatike. Gjithashtu Habesh lajmëroi se së shpejti do të nisë edhe një fushatë për mbledhje të hollash për t’i bërë ballë nevojave të popullsisë. Karitasi ka në Gazë një ekip prej vetëm dhjetë mjekësh kurse mjekët palestinezë e kanë të pamundur t’i mjekojnë të gjithë të plagosurit. Nga ana tjetër, Pier Mari Morel, sekretar i përgjithshëm i organizatës “Ndihmë për Kishën që vuan” njoftoi se 20 mijë euro do t’i dërgohen si ndihmë të krishterëve në Gazë.

Sot një palestinez nga Cisjordania u përpoq t’i vinte zjarrin një pike karburanti në ngulimin hebraik të Mishor Adumimit në lindje të Jeruzalemit. Megjithëse policët e urdhëruan të mos lëvizte, palestinezi filloi të vraponte drejt tyre. Pas kësaj policët hapën zjarr duke e lënë të vdekur.


Një ushtar izraelit mbeti i vrarë dhe disa të tjerë u plagosën sot nga predhat antitank të palestinezëve në ish-ngulimin izraelit të Necarimit në qendër të Rripit të Gazës. Lajmi u dha nga një zëdhënës i ushtrisë. Deri tani ka pasur shtatë të vrarë nga radhët e ushtrisë izraelite. Po ashtu Kombet e Bashkuara njoftuan se janë më shumë se 700 viktimat palestineze të kësaj lufte, më shumë se gjysma e tyre gra e fëmijë.


Sot afro 250 të huaj, të shoqëruar nga Kryqi i Kuq, braktisën Rripin e Gazës nëpër rrugëkalimin e Herezit. Evakuimi i tyre ishte shtyrë disa herë me radhë për shkak të bombardimeve. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Shtetasit e huaj hipën në gjashtë autobusë që nga Gaza Siti i dërguan në rrugëkalimin e Herezit. Burime diplomatike në Jeruzalem bëjnë të ditur se në Gazë duhet të ketë ende rreth 400 të huaj ndër të cilët edhe palestinezë me dy shtetësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.