Benedikti XVI: Dhuna në Tokën e Shenjtë i shkakton vuajtje popullsisë civile
(08.01.2009 RV)“Dhuna e këtyre ditëve në Tokë Shenjte po i shkakton vuajtje
mbi të gjitha popullsisë civile, prandaj është urgjente më shumë se kurrë që të kthehet,-
me shtytjen e bashkësisë ndërkombëtare, - paqja në Rripin e Gazës. Kjo edhe pse rruga
e luftës, nga çdo anë që ajo të vijë nuk është kurrë zgjidhja e problemit.” Këtë pohoi
sot paradite Papa Benedikti XVI gjatë fjalimit me rastin e shkëmbimit të urimeve të
vitit të ri me trupin diplomatik akredituar pranë Selisë Shenjte. “Dua të përsëris
prapë se rruga e luftës nuk është kurrë zgjidhja dhe se dhuna, nga çdo anë që të vijë
e çfarëdolloj pamjeje të marrë, duhet dënuar pa mëdyshje." "Uroj, vijoi Papa Racinger,
që me impenjimin e madh të bashkësisë ndërkombëtare, në Rripin e Gazës të rivendoset
paqja, çka është e domosdoshme për t’i krijuar popullsisë kushte të pranueshme jetese,
si edhe që të rinisin bisedimet e paqes duke hequr dorë nga dhuna, nga provokimet
dhe nga përdorimi i armëve.”
Në Kajro arritën dy diplomatët izraelitë
të ngarkuar për të biseduar me përfaqësuesit e qeverisë egjiptiane hollësitë e
propozimit franko-egjiptian për një ndalim zjarri në Rripin e Gazës. Të dërguarit
janë Shalom Turgeman, këshilltar politik i kryeministrit izraelit Ehud Olmert dhe
funksionari i lartë i mbrojtjes Amosh Xhilad.