(08.01.2009 R.V.)29 vjet më parë, më 8 janar 1980, vdiq në burg dëshmitari
i fesë së krishterë, Imzot Ernest Çoba, kryeipeshkëv i Shkodrës, pasi, në kundërshtim
me natyrën e tij të butë e të brishtë, e dëshmoi me heroizëm të pashoq Krishtin ndër
tortura mizore, që ia shkurtuan edhe jetën. U bë kështu model për të krishterët e
grigjës që i qe besuar. Ernest Çoba lindi më 16 shkurt 1912 në një familje të vjetër
qytetare shkodrane. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në Seminarin Papnor. U
shugurua meshtar më 9 shkurt 1936. Kreu detyra të ndryshme pranë seminarit papnorr,
ku ishte përgatitur. Shërbeu edhe si mësues i besimit ndër shkollat e qytetit.
Pak vdekjes së Imzot Thaçit dhe arrestimit të Dom Mikel Koliqit, kreu njëherësh detyrën
e zëvendës-famullitarit dhe të famullitarit të Shkodrës. Ishte një nga ipeshkvijtë
që u shugurua në kohën më kritike për Kishën, kur bëheshin përpjekjet për ta shkëputur
nga Selia e Shenjtë. I vetmi ipeshkëv që ishte ende gjallë e jo në pranga, Imzot Bernardin
Shllaku, e shuguroi atë, së bashku me ipeshkvin e Durrësit, Imzot Pjetër Demën më
20 prill të vitit 1952. Vishte paramentet liturgjike (veshje kishtare për kremtime
të ndryshme liturgjike) me ngjyrë të kuqe, në kohën kur kjo ngjyrë simbolizonte gjakun
e sivëllezërve të tij, që derdhej pa kursim ndër zaje të shkreta. Ai merrte në duar
një mision, që i ngjiste shumë misionit të ipeshkvijve të parë të krishtërimit, të
cilët shumë shpesh e bënë më të theksuar të kuqen e petkut të tyre, duke e ngjyrosur
me gjakun e derdhur amfiteatrove për t'i qëndruar besnikë Krishtit dhe Zëvendësit
të tij mbi tokë, Papës së Romës. Pas kohë pas shugurimit të tij, imzot Shllaku
vdiq. Dioqezi i Shkodrës, që mbas shkëputjes nga dioqezi i Tivarit, kishte pasur pesë
ipeshkvij të mëdhenj: Imzotët Karl Pooten, Pashko Guerinin, Jak Serreqin, Lazër Mjedën
dhe Gaspër Thaçin, mbeti ndër duart e ipeshkvit të butë, të ëmbël, simbol i gjallë
i dashurisë së krishterë. Ja si e përshkruan Imzot Zef Simoni në librin
e tij "Portrete klerikësh katolikë": " Kishte trup të shkurtë, sy të shkathët, gjysë
të mshehun mbas syzeve të errta kur shërbente në kishë apo në zyrë. Kishte cilësi
të mira: ishte i përvujtë, kryeulun, i qetë, i matun, i palodhun në shërbime, deri
ndër ato që nuk i përkitshin si ipeshkëv. Monsinjori do të gjindej çdo ditë, mbasi
kremtonte Meshën e orës 6, mbi krye të sëmurëve të qytetit, ndër koliba, tue çue sakramendet
shenjte, ndërmjet fëmijëve në orë katekizmi masiv, kur Kisha e madhe gumëzhinte nga
zanet fëminore. Kjo bani të fitonte popullaritet të madh e simpati, sidomos ndërmjet
të vorfënve. Qe drejtues i shoqnisë së Kryqtarëve të vogjël pranë etërve
jezuitë, njohës i tri gjuhëve të hueja, specialist i teologjisë morale dhe i landëve
të besimit, e jo ma pak, meshtar praktik në punët e fesë e të liturgjisë.
Nuk mujti të marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit por, me largpamësinë e tij, bani
të depërtojë fryma e Koncilit në gjithë jetën e Kishës. Pati guximin të mblidhte një
grup dëshirtarësh për rrugën e meshtarisë dhe të shuguronte shatë prej tyne, ashtu
si dhe guximin të mbante lidhje të ngushta me Selinë e Shenjtë, duke shfrytëzue të
gjitha mjetet dhe rrugët e mundëshme". Në prag të mbylljes së kishave, në
një të djelë të hidhur, në sa ishte thirrur që të akuzohej, u kthye në akuzues, duke
mbajtur një fjalim të zjarrtë, që i ngjiste predkut, për të mbrojtur Zotin e sulmuar,
Kishat në prag të rrënimit të madh. Megjithatë, jo shumë kohë më vonë dyert
e kishave do të mbylleshin. Atëherë ai u detyrua të kthehej pranë familjes. Prej derës
atërore doli me pranga ndër duar. Ishte viti 1976. Gjyqi komunist e dënoi me 25 vjet
burgim, si të ishte më i madhi kriminel. Akuzohej se kishte mbajtur lidhje me Selinë
e Shenjtë me anën e legatës italiane. Vuajti me durim të pashoq, me shqetësimin
e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut
në Tiranës më 8 janar 1980. Ishte një vdekje misterioze, - siç dëshmon në librin e
lartpërmendur Imzot Simoni. Mbyllte sytë pas një injeksioni që iu bë në
ditët e para të janarit 1980, pak ditë para përkujtimit të Shën Ernestit. Për figurën
e tij është shkruar disa herë, por nuk janë bërë ende përpjekje serioze për të mbledhur
dëshmitë mbi qëndrimin heroik dhe fundin e tij.