2009-01-07 17:55:54

Papa në audiencën e parë të përgjithshme të 2009-tës: “Në se rrimë të bashkuar me Krishtin, viti i ri do të jetë i mirë e i lumtur”.


(07.01.2009 RV)RealAudioMP3 Papa mbajti sot paradite, në Sallën e Palit VI në Vatikan, audiencën e parë të përgjithshme të vitit të ri, duke vijuar katekizmin për Shën Palin. Si i përshëndeti të pranishmit, ardhur nga mbarë bota, Benedikti XVI u kërkoi falje për zërin, që e kishte pakëz të ngjirur:
“Të dashur vëllezër e motra, për fat të keq më është ngjirur zëri, por megjithkëtë, shpresoj se do të më kuptoni”.
Më pas përsëriti urimet për vitin e sapofilluar:
“Ta përtërijmë zotimin për t’ia hapur Krishtit mendjen e zemrën, që të jemi e të jetojmë si miqtë e tij të vërtetë. Shoqëria e tij do të bëjë që ky vit, pavarësisht nga vështirësitë e pashmangshme, të jetë një kohë plot gëzim e paqe. Vetëm në se jemi të bashkuar me Krishtin, viti i ri do të jetë i mirë e i lumtur”.
Gjatë katekizimit, Papa shpjegoi konceptin e Shën Palit për kultin shpirtëror; kult i ri që e nisi Krishti mbi Kryq. Kulti i vjetër, me flijimin e bagëtive për faljen e mëkateve në tempullin e Jeruzalemit, merr fund. Kulti simbolik zevendësohet me kultin e njëmendtë: tani fajet e njerëzve i merr mbi vete vetë Biri i Zotit:
“Në zemrën e tij shkrihet masa e trishtë e së keqes së kryer nga njerëzimi e përtërihet jeta”.
Jezusi e pati paralajmëruar fundin e tempullit, duke kumtuar lartimin e një tempulli të ri, që nuk do të ndërtohej nga duar njeriu – tempullin e korpit të tij të ngjallur. Ky zhvillim – vijoi të shpjegonte Papa - mund të shkaktojë edhe keqkuptime. Kulti i vërtetë, adhurimi i vërtetë është njeriu, që jeton sipas vullnetit të Hyjit, por që mund të rrezikohet ta jetojë fenë vetëm shpirtërisht, duke u shkëputur nga bashkësia e besimtarëve. Nga ana tjetër, kult i vërtetë është ta nderosh Hyjin në jetën konkrete, por me rrezikun e kufizimit të fesë në një moralizëm, sipas të cilit njeriu mund ta bëjë gjithçka vetë, përmes përpjekjeve të tij morale. Kulti i vërtetë shpirtëror – shpjegoi Papa – është i mundshëm vetëm në se bëhemi një me Krishtin:
Duke jetuar në bashkimin me Krishtin, realizuar përmes fesë e sakramenteve, pavarësisht nga mungesat tona, ne bëhemi fli e gjallë: e kështu realizohet kulti shpirtëror”.
Duke jetuar në Krishtin, njeriu mund të bëhet, çka nuk mund të jetë kurrë vetëm me forcat e veta, fli e gjallë, e pëlqyer nga Zoti. E këtu nuk është fjala për një kult thjeshtë moralistik, por për një kult të vërtetë, flia e njëmendtë e të cilit janë veprat e mëshirës:
“Shën Agostini e sqaroi këtë mrekullisht mirë në librin e 10-të të veprës së tij “Qyteti i Hyjit”. Po citoj këtu vetëm dy fraza: “Kjo është flia e të krishterëve: shumë e një korp i vetëm në Krishtin”… “E tërë bashkësia (civitas) e shpërblyer… i mblatohet Hyjit përmes Kryemeshtarit, që dhuroi vetveten”.
Atëherë mund të themi se detyra ‘meshtarake’ e Kishës – pohoi Papa – është kumtimi i Ungjillit, për t’i bashkuar popujt në të vetmin korp të Krishtit të ngjallur, që bota vetë të bëhet ‘lumnia e Zotit’:
“Vetëdhurimi i Krishtit ka prirjen t’i tërheqë të gjithë drejt bashkimit me Korpin e tij, për ta bërë kështu një gjithë botën. Vetëm në bashkim me Krishtin, njeriun-model, një me Hyjin, bota bëhet ashtu si e dëshirojmë të gjithë: pasqyrë e dashurisë hyjnore. Ky dinamizëm është i pranishëm në Eukaristi – e po ky dinamizëm duhet ta frymëzojë e ta formojë gjithë jetën tonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.