2009-01-07 17:55:32

Ashpërsohet lufta e gazit ndërmjet Rusisë e Ukrainës


(07.01.2009 RV)RealAudioMP3 Ashpërsohet gjithnjë e më shumë lufta e gazit ndërmjet Rusisë e Ukrainës. Kievi akuzon Moskën se ka ndalur furnizimin me gaz për Evropën, ndërsa Moska pretendon se është Ukraina ajo që në të vërtetë, vjedh gazin rus të destinuar për kontinentin e vjetër. Ndërkaq, në Austri, Poloni, Hungari, në Republikën Çeke, Kroaci e Slloveni ndihen vështirësitë e para. Bratislava ka kërcënuar se do të rihapë centralin bërthamor, duke shkaktuar protestat e ekologjistëve, të cilët argumentojnë se përdorimi i energjisë bërthamore nuk do ta zgjidhte problemin. Nesër, do të takohen në Bruksel, nën tutelën e Bashkimit Evropian, përfaqësuesit e shoqërisë ruse dhe ukrainase të shpërndarjes së gazit, me shpresën që të merren vesh për pagesat e palikuiduara. Por cili është skenari që mund të hapet në këtë moment në Evropë? Të dëgjojmë zv.drejtorin e revistës italiane “Familja e Krishterë”, ekspert i zonës ish-sovjetike, Fulvio Skalione:
Mendoj se ky i Moskës është një gjest absolutisht demonstrativ, që nuk do të zgjasë shumë, për arësye të qarta, pasi Evropa perëndimore ka nevojë për gaz e Ukraina nuk mund të shkojë me detyrim drejt urisë e ngricës, e arësye të tjera me radhë… Në këtë moment, Moska është në gjendje të kushtëzojë kuadrin politik ndërkombëtar, evropian ose jo. Gjithsesi, mendoj se Moskës nuk i leverdis ndeshja ballë për ballë me Evropën, pasi Evropa është një klient shumë i mirë energjie, të cilën Rusia e shet, duke arritur fitime të majme. Nga ana tjetër, edhe Ukraina luan lojën e gjeopolitikës e të gjeostrategjisë. Ukraina e di fort mirë se Moska nuk mund të ndërpresë furnizimet pa dëmtuar edhe Evropën. Prandaj, megjithëse varet krejtësisht nga Rusia përsa i përket furnizimit me energji, bën një politikë antiruse, me qëllim që të marrë me të mirë Evropën. Por, sinqerisht, edhe në Evropë kjo politikë fillon të duket pak si tepër frenetike e pa kuptim.







All the contents on this site are copyrighted ©.