(06.01.2009 RV)Me të kremten e Diftimit (Liturgjija), tue na qitë në
mend thirrjen e popujve për të pranue fenë e krishtênë, don qi ditë për ditë t’i falemi
nderës Zotit për nji të mirë kaq të madhe, të dishrojmë me besim të ngultë e bindje
sendet e mbinatyrshme e të thellohemi në heshtim e kujtim shpirtnuer, për të mujtë
mâ udobisht me kuptue dhantitë qiellore dhe me i shtî në punë e në jetë. Piu XII n’ Ençiklikën “Mediator Dei”
Koha e Diftimit
Koha
e Diftimit (Epiphania Domini) përshinë periudhën e shkurtë qi xên fill me të
kremten e Ujit të Bekuem (6 Kallnduer) e sosë me Tetoren e festës (13 Kallnduer).
Si shifet, âsht koha mâ e shkurta e vjetës kishtare, sadoqi në liturgjí ka nji randësí
të veçantë dhe nji kuptim të kthellë. Veçohet prej të njoftunit të Krishtit nga ana
e Dijetarëve, të cilët gojdhana e krishtênë i bân mbretën dhe i veshë me legjenda.
Më të vërtetë ata janë përfaqësuesët e njerëzimit, qi në kohën e të lémit të Krishtit,
përbâhej në shumicën dërmuese prej të paféve ase pagajve, prej atyne d.m.th. qi tue
mos pasë fatin e zbulimit të fesë së vërtetë, si e pat populli i zgjedhun i Izraelit,
me anën e nji hylli të mrekullueshëm drejtohen kah Mesija i lém dhe në foshnjen hyjnore
të Betlemit njofin Zotin e Mishnuem, Mbretin e mbretënve, Dritën e botës e Shëlbuesin
e njerëzimit. Të shndritun mâ fort prej kësaj drite së mbinatyrëshme se sa prej rrezeve
të nji hylli, ata përkulin gjunin para Krishtit, e adhurojnë dhe i falin dhantitë
e tyne simbolike: ár, kêm e mirrë. Liturgjia s’kondendohet me kaq. Ajo në kohën
e Diftimit ka para syshë jo vetëm diftimin e hynisë së Krishtit para mbretënve dijetarë
(6 Kallnduer), por edhe Pagëzimin e Krishtit në lumin e Jordanit (13 kallnduer)
e mrekullinë e parë të Shëlbuesit në Kana të Galilesë (e dyta e dielle mbas Diftimit).
Në të parën rasë, atëherë kur mbi kryet e Krishtit, të riguem prej ujit të pagëzimit
nga ana e Gjonit pagëzues, u çil qiella, kje Ati vetë ai qi çiltas çpalli se ai ishte
Biri i tij i dashtuni e se vetëm atij duhej qi njerëzit t’i ndigjojshin; në të dytën,
vetë Krishti me anën e shndërrimit të ujit në vênë, në darsmën e Kanës, diftoi para
njerëzve pushteden e vet hyjnore, pushtede e cila përforcohej aty e mbrapa me nji
varg të pakëputun mrekullishë përherë e mâ të mëdhá e përherë e mâ të bindëshme. Ndoshta
ky kuptim i trefishtë i Diftimit e ka burimin e vet në zhvillimin historik të kësaj
së kremtje, e cila që në shekullin e tretë e të katërt nisë të lutet në prendim posi
kunorim i Këshndellave e festa e Krishtit Mbret; në lindje, posi dita e Pagëzimit
e, për pasojë, dita e bekimit t’ujit. Pa dyshim ky kuptim i fundit depërtoi mâ kthellë
në mentalitetin populluer tonin, tue bâ qi edhe ndër né e kremtja e Diftimit të njifej
e të mbahet gjithnji sot posi dita e Ujit të Bekuem. Krishti na paraqitet më ketë
kohë si mbreti i njerëzimit mbarë. Ai mban në duer të veta të njoma pushteden e nji
Zoti, qi s’njef cak, kufí kohe as hapësije. Ai vjen me të lém të vet të mbinatyrshëm,
në mbretninë e tij, në tokë, dhe tërhjek kah vehtja, edhe pse endé foshnje, të mëdhajt
e botës, të dijshëmt, të fortit, të pasunt vullndet-mirë: përfaqësuesët e tana kombeve:
të pafetë. Nji hyll i përcjellë këta kah grazhdi, troni i dashtënisë së Shëlbuesit.
Âsht hylli i fesë, drita e hirit, thirrja hyjnore qi u flet në heshtim zemrave të
thjeshta e të pafaje. Secilit nesh Zoti i çon hyllin e dritës së vet, edhe pse
rrezet e tija mbeten të papashme. Ua çon të drejtëve e të mirëve, mëkanorëve e të
këqive. E njimend hyll âsht feja qi na u dha në pagëzim shêjt, hyll mësimet e Kishës,
hyll zâni i Zotit, të brémt e ndërgjegjes, pendimi mbas mëkatit, shndritësitë e vazhdueshme,
grishjet në të mirën, shembujt e Shêjtënve e të mirëve, hyll këto e tana të kremtet
e motmotit. Na përket né, prandej, me e ndjekë ketë hyll me ato ndjenja me të cilat
e ndoqën tre mbretënt, për të mrrijtë, kështu, te Krishti dhe për t’a adhurue, për
t’a dashtë e për t’i shërbye me besnikí e qindresë.
E Kremtja e Diftimit Festa
e Ujit të Bekuem (6 Kallnduer) E kremtja qi i ep êmnin Kohës së Diftimit
e qi në vazhdimin e kremtimeve të Këshndellave në vështrimin liturgjik ka nji randësi
të veçantë, âsht pa dyshim festa e soçme. Më vedvedi të lémt e Shëlbuesit, natën e
Këshndellave, âsht fillesa e Veprës së madhe të Shëlbimit, e këndej, guri i parë e
asaj mbretnije paqe e dashtënije, hiri e drite, më të cilën Zoti do t’i grishte tanë
njerëzit, të cilët me mëkat i kishin dalë dore. Krishti erdh mbi tokë për njerëzim
e njerëzimi s’ishte vetëm populli i Izraelit. Populli i Zgjedhun, në krahasim me botën
tjetër pagane, ishte një grusht njerëz; vendi i tyne, një pikë posá e pashme në hapësinën
e banueme prej të paféve. Qe pra se sot Krishti i diftohet zyrtarisht kësaj bote pagane.
Nji hyll i mrekullueshëm grishë kah grazhdi i Betlemit përfaqësuesët e saj. Tre Mbretën
dijetarë, të pajisun me dije e të veshun me madhní tokësore e me pasuní, përkulen
n’ adhurim para njaj fëmije si tanë fëmijët e lém prej nanash dhe në tê, të shndritun
mâ fort prej fesë se sa prej hyllit, njofin, duen e adhurojnë Mesinë e parafolun,
Shëlbuesin e njerëzimit, Mbretin e qiellës e të tokës, Zotin e Mishnuem (Antifona
e të Hymit, Kushtesa). Në shêj nderimi e dashunije, mirënjohje e nënshtrimi, i
falin dhantitë e veta: ár, kêm e mirrë (Ungjilli), shêje këto se e njifshin
posi Mbret, Zot e Njeri (Letra, Antifona mbas Letrës, Kushtesa). Feja, qi âsht
hylli i jetës sonë shpirtnore, duhet të na prijë edhe né kah Krishti për t’i dhurue
atij zemrat tona, dashtëninë tonë, nënshtrimin tonë e, mbi të gjitha, vuejtjet tona
të jetës (Lutja mbi dhurata).
Meshari i të kremteve, Perkthye dhe
zhvillue prej At Danjel Gjeçajt OFM, Romë 1966, fq. 88; 91-94.