2009-01-06 18:09:22

Benedikti XVI në Meshën e Dëftimit të Zotit: Krishti është ylli që fiton mbi hijet e krizës e të dhunës në botë.


(06.01.2009 RV)RealAudioMP3 “Krishti është ‘dielli’ që revolucionarizoi kozmosin e historinë, duke sjellë mes njerëzve dritën e shpresës. Ai davarit retë, që dynden nga dhuna, kriza e shpërdorimet e natyrës, të cilat vijojnë ta shpërfytrojnë tokën”. Me një homeli, në të cilën lidheshin ngushtë shkenca e feja dhe kujtohej njeriu simbolik i kësaj lidhjeje, Galileo Galilei, Benedikti XVI kryesoi sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit Meshën Shenjte në solemnitetin e Dëftimit të Zotit. Pas kremtimit eukaristik, Ati i Shenjtë bëri përsëri thirrje për paqe në Lindjen e Mesme.

Një ‘diell’ që vërshon në errësirën njerëzore, një ‘yll’ që ndriçon shtegtimin e besimtarëve, por edhe një ‘solist’ me rëndësi të jashtëzakonshme në partiturën e mrekullueshme të universit, që nuk do të jetë më e njëjtë. Kjo ndodh me hyrjen e Jezusit në historinë e njerëzve. E pikërisht kështu, me origjinalitet e figura të zgjedhura, Benedikti XVI shpjegoi Dëftimin e Jezusit, duke e quajtur ‘mister shumëformësh’ që, sipas traditës latine, përkon me vizitën e Mbretërve Dijetarë në Betlehem, e sipas asaj Lindore, me Pagëzimin e Krishtit në Jordan, por edhe – sipas Ungjillit të Shën Gjonit – me dëftimin e hyjnisë së Jezusit në Dasmën e Kanës. Sidoqoftë – vërejti Papa - Dëftimi i Zotit është shenjë e epërsisë së Krishtit mbi jetën e mbi vdekjen e mbi çdo epokë:

“Nuk ka hije, sado e errët të jetë, që mund ta vrugnojë dritën e Krishtit. Prandaj atyre që besojnë në Krishtin, nuk u mungon kurrë shpresa, edhe sot, përballë krizës shoqërore dhe ekonomike që trondit njerëzimin, përballë urrejtjes e dhunës shkatërrimtare, që vijojnë t’i gjaksoin disa zona të tokës, përballë egoizmit e pretendimit të njeriut për t’u krekosur si zot i vetvetes, gjë që çon shpesh në shtrembërime të rrezikshme të planit hyjnor për jetën e dinjitetin e njeriut, familjen e harmoninë e Gjithësisë”.

 
Duke vijuar reflektimin e tij, Benedikti XVI e shoqëroi shtegtimin e Mbretërve, që ndjekin yllin, me aftësitë e shkencës astronomike, që ka shumë mundësi ta kenë praktikuar tre shkencëtarët lindorë. E, në vitin që sapo filloi e që do të kremtojë 400- vjetorin e vrojtimeve të para të Galileos me teleskop, Papa shpjegoi se ylli për të cilin flitet në Ungjijtë, frymëzoi, që në orët e para të Kishës, leximin teologjik të kësaj ngjarjeje qiellore:

Etërit e Kishës panë në këtë episod të treguar nga Shën Mateu, edhe një lloj ‘revolucioni’ kozmologjik, shkaktuar nga hyrja në botë e Birit të Zotit (...). E kjo duhet kuptuar në këndvështrimin simbolik e teologjik. Në të vërtetë, ndërsa teologjia pagane hyjnizonte elementet dhe forcat e kozmosit, feja e krishterë, duke përmbushur zbulesën biblike, kundron Zotin e vetëm, Krijues e Zotërues i mbarë gjithësisë”.

 
Kjo do të thotë – vijoi Papa – se yjet, planetet, mbarë universi, nuk drejtohen nga një forcë e verbër, nuk i binden vetëm zhvillimit të materies. Nuk janë, prandaj, elementet kozmike që duhen hyjnizuar, përkundrazi, në të gjitha e mbi të gjitha është një vullnet vetjak, Shpirti i Hyjit, që në Krishtin na u dëftua si Dashuri:

“Kemi, pra, në kristianizëm, një konceptim të veçantë kozmologjik, që në filozofinë e në teologjinë mesjetare gjeti shprehje tepër të larta. Edhe në epokën tonë jep shenja interesante të një lulëzimi të ri, falë pasionit e fesë së jo pak shkencëtarëve të cilët - duke ecur në gjurmët e Galileos – nuk heqin dorë as nga arsyeja e as nga feja, përkundrazi, i vlerësojnë të dyja deri në fund, në fekonditetin e tyre të anasjelltë”.
 
Vetë Galileo - vijoi të shpjegonte Papa - e krahasoi kozmosin me një libër, duke e konsideruar si vepër të një Autori, që shprehet përmes ‘simfonisë së krijimit’. E këtu Papa vijoi me një analogji të bukur e domethënëse:

Brenda kësaj simfonie gjindet ajo, që në gjuhën muzikore quhet ‘solo’, temë që i besohet një instrumenti ose një zëri të vetëm; e është aq e rëndësishme, sa prej saj varet kuptimi i gjithë veprës. Ky ‘solist’ është Jezusi, me të cilin përkon një shenjë mbretërore: dukja e një ylli të ri në kupën qiellore”.

 Benedikti XVI e përfundoi homelinë duke pohuar se Dëftimi i Krishtit pasqyron dëftimin e Kishës e cila, me gjithë kufizimet e mjerimet e veta, vë në dukje veprën e Shpirtit Shenjt. Papa i ftoi besimtarët që, duke ecur në gjurmët e Shën Palit, të ushqehen gjithnjë me Shkrimet Shenjte, për të qenë dritë e Krishtit e për ta kumtuar këtë dritë me fjalë e me dëshminë e jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.