2009-01-05 19:33:40

Shën Eduardi III Dëshmitar, mbret i Anglisë


(05.01.2009 RV) Eduardi III Dëshmitar, mbret i Anglisë, është shenjti më i njohur, që mban këtë emër, së bashku me stërgjyshin e tij, Eduardin II Martir. Lindi në rrethinat e Oksfordit, ndërmjet viteve 1004 e 1005. Ishte bir i Etelredit II dhe gruas së tij të dytë, princeshës normane Ema. Sapo i mbushi dhjetë vjetët, për shkak të trazirave të vazhdueshme në vend, prindërit e nisën për në Normandi, ku jetoi deri në vititn 1041, kur u rikthye në vendlindje. Një vit më pas u ul në fronin mbretëror. Pikërisht gjatë mërgimit, fitoi disa cilësi të shquara: qetësi e shkathtësi, duresë e maturi, aftësi për ta shmangur ndeshjen ballë për ballë, urti tokësore, aftësi për të pranuar pa fjalë rengjet që punon fati - të cilat do ta ndihmonin t’i mbante nën kontroll armiqtë e shumtë të brendshëm e të jashtëm. Pasardhësi i tij, Aroldi, njëzet e dy vjet më pas, sundoi mbi një vend shumë më të qetë, më të bashkuar e më të sigurtë, sesa ishte para kurorëzimit të Eduardit.
Shenjtëria e Eduardit nuk lidhet aq me qëndrimin heroik, që megjithatë nuk i mungoi, sesa me gjithë aftësitë e tij si sovran i shkëlqyer, që mbrojti vendin nga sulmet e jashtme, fuqizoi flotën, bëri çmos t’i parandalonte konfliktet e luftërat. Eduardi i forcoi më tej lidhjet me Romën, ku deshi të shkonte si shtegtar, dëshirë që nuk mundi ta realizonte. Por me që kishte bërë kusht, kërkoi nga Papa zgjidhjen e, për ta plotësuar këtë mungesë, dhuroi para e toka, duke ndihmuar kështu për themelimin e abacisë së sotme të Uestminsterit. Njeri që i përbuzte sjelljet servile e hipokrite të oborrtarëve, u përpoq gjithë jetën të caktonte në detyrat më të vështira njerëz vërtet të aftë, pa marrë fare parasysh rangun, titullin a miqësitë. I solli vendit të vet epokën e artë, duke fituar kështu një popullaritet të jashtëzakonshëm e, pas vdekjes, titullin e Pajtorit kryesor të Anglisë. E fitoi këtë titull me një jetë të panjollë, me pastërti morale të pacënuar gjatë gjithë jetës, me dashuri për të varfërit, për Kishën, posaçërisht për murgjërit e, më pas, edhe me mrekullitë, që ndodhën përmes ndërmjetësimit të tij. Martesa me princeshën Edit, qe bashkëjetesë e bardhë - siç quhej në atë kohë prirja për të ruajtur pastërtinë në jetën bashkëshortore. Prandaj Eduardi nuk pati fëmijë. Vdiq më 5 janar 1066 e u varros në abacinë e Uestminsterit. Më 1102 , kur u zhvarros, për t’u vendosur në një vend tjetër, trupi i tij u gjet fare i patretur. Reliket e mbretit shenjt shpëtuan gjatë Reformës e edhe sot e kësaj dite ruhen kryesisht në abacinë e themeluar prej tij. Shumë shpejt varri i Eduardit u bë cak shtegtimesh e mrekullish. Në librat e shumtë, shkruar për jetën e Shenjtit, cilësohet si pajtor i njerëzve të prekur nga sëmundjet e lëkurës dhe epilepsia. U shpall shenjt më 1161 nga papa Aleksandri III e u quajt Shën Eduardi Dëshmitar, për ta dalluar nga paraardhësi, Eduardi II Martir. Festa e tij, që u caktua më 13 tetor, ditë e mbartjes së parë të relikeve, u shtri në Kishën universale duke nisur nga viti 1689. Ndërsa tani Martiriologu Romak e zhvendosi përkujtimin e Shenjtit më 5 janar, datë e lindjes së tij për qiell.







All the contents on this site are copyrighted ©.