Kishat që ndjekin kalendarin julian festojnë Krishtlindjen më 7 janar. Intervistë
me popin Vladimir Zelinskij
(05.01.2009 RV)Pas dy ditësh, më
7 janar, bie festa e Krishtlindjes për të gjitha kishat e krishtera, që ndjekin kalendarin
julian. Kisha ortodokse ruse, në veçanti, e kremton atë për herë të parë pa Patrikun
Aleksej II, i cili ndërroi jetë para një muaji. Mbi përshpirtërinë e Krishtlindjes
ortodokse e mbi ngjashmëritë e dallimet me atë katolike, të dëgjojmë popin ortodoks,
Vladimir Zelinskij, profesor i letërsisë ruse në Universitetin italian të Breshës: Nuk
ka ndryshime me traditën katolike, pasi Krishtlindja është mishërimi i Fjalës. Në
traditën ortodokse ekziston një admirim i madh për këtë mrekulli e njëkohësisht, tradita
ortodokse e Krishtlindjes sjell me vete edhe kujtimin e të Kryqëzuarit, pasi në ikona
mund të shohim edhe një imazh të vogël të Kryqit. Ç’rëndësi kanë ikonat në
kremtimin e Krishtlindjes ortodokse? Ikonat kanë rëndësinë që ka çdo kremtim.
Ekziston një ikonë klasike për Krishtlindje me imazhin e Marisë e të djepit: në djep
shohim Jezusin e vogël me barinjtë përreth, etj. Betlehemi po hyn tani në botën ortodokse. Ortodoksët
agjërojnë para Krishtlindjes; nuk hanë mish e ëmbëlsira e nuk pinë alkool… Këto
janë tradita të përbashkët të Lindjes e të Perëndimit, megjithëse Perëndimi po i harron
këto zakone, që gjithsesi, janë apostolike. Ne kemi katër agjërime në vit: agjërimi
para Krishtlindjes, që zgjat pesë javë; agjërimi para Pashkëve, gjatë Kreshmëve, që
zgjat dy muaj; pastaj ka një agjërim tjetër para Fjetjes së Nënës së Zotit, dy javë
në gusht, e së fundi, ai para festës së Shën Pjetrit e shën Palit. Festa
e Krishtlindjes, ashtu si festa e Ringjalljes së Krishtit, do të thosha se është edhe
premtimi për bashkimin në të cilin duhet të kthehemi. Unë personalisht, besoj në unitetin
e Kishës, besoj se fjalët e Krishtit nuk janë të kota, na ka thirrur në bashkimin
e humbur, por që duhet gjetur sërish. Pikërisht dita e Krishtlindjes, mrekullia e
Krishtlindjes është thirrja për rigjetjen e bashkimit ndërmjet nesh.