2009-01-03 15:41:41

Reflektim i Atë Federiko Lombardit: “Nga kriza tek shpresa”.


(04.01.2008 RV)RealAudioMP3 Reflektimi i fundjavës i drejtorit të përgjithshëm të Radio Vatikanit, Atë Federiko Lombardit, sintezë e Mesazhit të Benediktit XVI për Ditën Botërore të paqes 2009, titullohet: ‘Nga kriza tek shpresa”.
 
“Kriza aktuale ekonomike globale duhet parë si bankë prove, si sfidë për të ardhmen e jo vetëm si emergjencë, së cilës i duhen dhënë përgjigje të përkohshme” . Kështu u shpreh Papa në homelinë e ditës së parë të vitit. E propozoi përsëri një rishikim të thellë të modelit sundues të zhvillimit, që e kërkojnë “jo vetëm vështirësitë e sotme financiare, por edhe gjendja e shëndetit ekologjik të Planetit e, mbi të gjitha, kriza kulturore e morale, simptomat e së cilës janë të dukshme prej kohe në të katër anët e botës”.
Një mesazh i fortë për vitin që fillon! Një mënyrë për ta kthyer frikën nga e ardhmja, në impenjim për ndërtimin e një ardhmërie më të mirë!
E Papa propozoi edhe metodën e impenjimit të përbashkët: zgjedhjen e rrugës së drejtësisë, të thjeshtësisë, të solidaritetit, që “frenojnë babëzinë e pangopur, e cila shkakton luftëra e përçarje, kufizojnë lakminë për të pasur, krijojnë gatishmërinë për ndarjen e përbashkët e mirëkuptimin reciprok”.
Varfëria e vetë Krishtit dhe historia e përshpirtërisë dhe e impenjimit të krishterë për të tjerët, paraqiten si shembull që duhet ndjekur, për të ecur këtë rrugë. E kjo, sepse varfëria në shpirt, çlirimi nga egoizmi, është mjeti më i përshtatshëm, i cili na bën të aftë për të luftuar varfërinë e padrejtë, materiale e morale, që e poshtëron dinjitetin e njeriut e është në zanafillë të tensioneve, urrejtjeve e konflikteve.
Natyrisht problemet e botës së sotme janë tejet të ndërlikuara, por disa pikënisje për të kërkuar përgjigje largpamëse, janë mjaft të thjeshta e të qarta. Gjithsesi duhet të kesh dëshirë t’i pranosh. Urojmë një 2009-të me më shumë urti. Që të mund të kalojmë nga kriza, tek shpresa!".







All the contents on this site are copyrighted ©.