2009-01-03 15:43:06

Patriku Tval: ‘Një vizitë e Papës, do të ishte bekim për ne të gjithë”.


(04.01.2009 RV)Në situatën dramatike aktuale, vizita e Papës do të ishte më se e nevojshme. E pohon këtë Patriku latin i Jeruzalemit, Fuad Tval, në mikrofonin e Radio Vatikanit. Në situatën, në të cilën jetojmë – thekson Patriku latin – e që shpresojmë të marrë fund sa më shpejt, ndoshta ndjehet edhe më fort nevoja e pranisë së Atit të Shenjtë, që t’u thotë të gjitha palëve një fjalë për më shumë pajtim, më shumë paqe, më shumë falje. Kjo – kujton imzot Tval – është gjuha me të cilën flasim ne, të krishterët, prandaj në këtë situatë të tensionuar, kemi nevojë për një zë të qetë, paqtor, që qëndron përmbi të gjitha palët. Një fjalë e Atit të Shenjtë, një bekim i Atit të Shenjtë, një vizitë e Atit të Shenjtë besoj se do të ishte bekim për të gjithë, e mendoj se kemi vërtetë nevojë. Besoj se Papa, Selia e Shenjtë, Kisha e kanë forcën morale për t’u folur të gjitha palëve, për të mirën e përgjithshme.Imzot Tval vijon të dënojë dhunën që ushtrohet nga të dyja palët. Për ne – pohon - rrugëzgjidhja ushtarake nuk është kurrë e mirë. Nga dhuna lind dhuna. Prandaj presim nga bashkësia ndërkombëtare një ndërhyrje më të vendosur, presim më shumë presione, që të ketë më shumë drejtësi e më shumë paqe për të gjithë: nuk mjaftojnë fjalët ngushëlluese, kemi nevojë për veprime të guximshme, fjalime të guximshme, që t’i jepet fund një orë e më parë e një herë e mirë, kësaj situate të vështirë, që vijon prej vitesh.







All the contents on this site are copyrighted ©.