2009-01-03 16:28:35

Letër e Papës për kardinal Bertonen: prindërit janë edukatorët e parë të fëmijëve


(04.01.2008 RV)RealAudioMP3 Prindërit janë edukatorët e parë e kryesorë të fëmijëve dhe në fushën e edukimit kanë “një kompetencë themelore: janë edukatorë, sepse janë prindër”: kështu shkruan Benedikti XVI në Letrën që i dërgon kardinalit-sekretar të shtetit të Vatikanit, Tarçizio Bertone, të cilin e emëron Legat papnor për Takimin e gjashtë botëror të familjeve. Ky takim do të mbahet në Qytetin e Meksikos nga 13 deri më 18 janar e do të ketë për temë: “Familja formuese e vlerave njerëzore dhe të krishtera”. Duke cituar Letrën “Gratissimam sanae” të Gjon Palit II (2 shkurt 1994), Papa kujton se “familja është e thirrur të bëjë detyrën e saj edukative në Kishë, duke marrë kështu pjesë në jetën e në misionin kishtar. Kisha dëshiron të edukojë, mbi të gjitha përmes familjes, e cila është aftësuar për këtë nga sakramenti i martesës”. Në këtë kontekst, sa e rëndësishme është lidhja ndërmjet shkollës e familjes? Të dëgjojmë profesoreshën italiane Maria Luisa Di Pietro, kryetare e Shoqatës “Shkenca dhe Jeta”:
Është e rëndësishme për disa arësye: nga njëra anë, edukatorët e parë të një fëmije janë prindërit, por në momentin që ata ia besojnë fëmijën shkollës, duan që ajo t’i ndihmojë në rolin e tyre edukativ e jo t’i zëvendësojë. Kjo do të thotë që shkolla e familja duhet të bashkëpunojnë.
Në përgjithësi, një politikë e mirë në mbështetje të familjes ç’duhet të përmbajë pa tjetër?
Para së gjithash, duhet filluar nga një politikë ndihmash për familjet që kanë fëmijë, por edhe me ndihmën ndaj atyre që nuk arrijnë të krijojnë familje: u referohem vështirësive, që hasin sot të rinjtë edhe të imagjinojnë një jetë familjare, pasi nuk kanë mundësi pune, apo shtëpie. U referohem problemeve në vitet e para të jetës së një fëmije, nevojës për t’i pasur prindërit afër, në veçanti nënën. Pastaj, ekzistojnë një seri nevojash që lidhen me sëmundjet, për të cilat shpesh familjet braktisen krejtësisht nga institucionet, pa asnjë formë asistence sociale. Më pas, u referohem të gjitha problemeve, që kanë të bëjnë me moshën e adoleshencës, pra problemeve edukative… Prandaj, ndërhyrjet në favor të familjes janë sigurisht me natyrë ekonomike, por duhet të kenë për qëllim edhe mbështetjen psikologjike, edukative e sidomos kulturore.
Nëse e hedhim vështrimin mbi 5 kontinentet, cilat janë sipas jush, realitetet në të cilat jetojnë familjet?
Ekziston një lloj “globalizimi” i problemeve, sidomos në qendrat e mëdha urbane. Në botën perëndimore, pjesa më e madhe e familjeve përballet me një situatë kulturore që ka humbur shumë vlera, duke përfshirë vlerën e amësisë e të atësisë. Në vende të tjera, për shembull në Amerikën e Jugut apo në vendet afrikane e aziatike, vlera e familjes është akoma e fortë dhe ndihet jo vetëm nga personat e veçantë, por nga krejt shoqëria.
Ç’mund të presim nga Takimi VI botëror i familjeve?
Mendoj se është një moment i rëndësishëm konfrontimi, por sidomos një moment, në të cilin duhet gjetur forca për të dëshmuar se ç’do të thotë të jesh prind, të jesh familje, sepse në vendet evropiane, e në të gjithë botën, të gjithë prindërit hasin një sërë vështirësish, jo sepse kanë ndryshuar fëmijët, por ka ndryshuar konteksti kulturor. Një kontekst, që e përsëris, nuk e ndihmon aspak familjen në asnjë nga rolet e saj.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.