2009-01-02 18:12:45

Republika Çeke presidente e Bashkimit Evropian. Dritëhijet e kontinentit në intervistën me kardinalin Erdë.


(02.01.2009 RV)RealAudioMP3 Republika Çeke mori në dorë dje, për herë të parë që nga hyrja e saj në Bashkimin Evropian në vitin 2004, presidencën semestrale të turnit. Gjatë vitit 2009 bie 20-vjetori i rënies së Murit të Berlinit dhe 5-vjetori i zgjerimit më të madh në historinë e Bashkimit Evropian, me vetë Pragën në mesin e nëntë anëtarëve të rinj. Motoja e semestrit “Një Evropë pa mure” paqyron interesin e qartë të presidencës për katër liritë themelore evropiane: qarkullimi i lirë i mallrave, kapitaleve, punëtorëve dhe shërbimeve, të cilat u shtohet edhe një liri e “pestë”, ajo e qarkullimit të informacionit dhe të njohurive.
Krerët çekë, përveç detyrës për të zvogëluar pengesat në procesin e integrimit evropian, kanë përcaktuar edhe tri përparësi: ekonominë, energjinë, marrëdhëniet Evropë-botë. Në fushën ekonomike do të punohet për një konkurrencë më të madhe në Evropë, për administrimin e krizës financiare, për promovimin e punësimit. Përsa i përket energjisë, do të kërkohet ekuilibri ndërmjet mbrojtjes së ambientit dhe sigurimit të energjisë. Sipas Pragës, krijimi i burimeve të ndryshme dhe i rrjeteve të reja do të luajnë një rol kyç në fushën e ekuilibrit energjitik. Në politikën e jashtme, presidenca çeke do të forcojë lidhjet euro-atlantike dhe do të përpiqet t’i japë një shtysë të re procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, sidomos përsa i përket anëtarësimit të Ballkanit perëndimor. Në këtë semestër është parashikuar një mbledhje ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve ballkanike.
E ndërsa Praga merr në dorë presidencën e Bashkimit Evropian, Sllovakia feston zëvendësimin e koronës së vet me euron. Me këtë veprim, Bratislava parapriu Poloninë, Hungarinë e vetë Republikën Çeke, të cilat akoma nuk kanë fiksuar një datë për adoptimin e euros. Por mbi perspektivat e kontinentit në fillim të vitit 2009, të dëgjojmë kryeipeshkvin e Budapestit dhe kryetarin e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, kardinalin Peter Erdë:
Para së gjithash, mendoj se Evropa është më e madhe se struktura politike e Bashkimit, pasi mbërrin deri në Urale: përfshin edhe rajone, që nuk bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, për ne ndoshta është më e rëndësishme përmbajtja e jo forma e bashkëpunimit ndërmjet vendeve evropiane. Dua të them, se pa dyshim është i rëndësishëm përforcimi i strukturave, por duhet të pyesim se ç’duam të bëjmë me to. Është absolutisht e nevojshme të shohim qartë disa vlera të përbashkëta, njerëzore, që bëjnë të mundur një jetë më humane në Evropë. Ndër të gjitha këto vlera, unë do të përsërisja jetën e familjen, pasi pa respektimin e jetës njerëzore e pa familjen, asnjë strukturë nuk mund të japë me të vërtetë kontribut në bashkëjetesën e shoqërisë.
Viti 2009 hapet me regres ekonomik. Përveç ndërhyrjeve pak a shumë teknike, nga të gjithë kërkohet edhe një reflektim më i thellë…
Po, me të vërtetë i thellë. Nuk është fjala vetëm për një ose disa norma etike, por për kontaktin ndërmjet aktivitetit njerëzor dhe realitetit objektiv. Ne duhet të jetojmë mbi bazën e realitetit, të nevojave që ky realitet përmban: nuk mjaftojnë dëshirat, ëndrrat, opinionet. E kështu edhe vlerat – vlerat në jetën njerëzore – nuk janë njëlloj me ato që mund të shprehen me shuma të ndryshme të hollash. Prandaj, nëse shoqëria vlerëson vetëm atë që ka një çmim, që mund të shprehet në para, atëherë harron shumë gjëra themelore, si për shembull jetën njerëzore apo edhe shëndetin e ambientit. Nuk është e lehtë të ndihen këto vlera: për shembull, nuk është e lehtë t’i jepet pesha e duhur besimit ndërmjet njerëzve. Ekzistojnë vlera vërtet të mëdha, të cilat nuk mund as të kuptohen nga një këndvështrim i sipërfaqshëm ekonomik, prandaj duhet zgjeruar horizonti, duhet jetuar sipas realitetit. Kjo do të kërkojë përpjekje të shumta, e kriza financiare apo bankare është vetëm një nga simptomat e para të një ndryshimi më të thellë.
Para këtyre problemeve, i krishteri është i thirrur të dëshmojë vlerat e fesë së vet…
Para së gjithash, të bëjë edhe sakrifica personale për të ndihmuar drejtpërdrejt e personalisht nevojtarët. Gjithashtu, duhet të dëshmojë hapur, pa frikën se opinioni i përgjithshëm është kundër, këndvështrimin e tij mbi jetën e familjen ose mbi të mirat e tjera themelore për njerëzimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.