Liturgjia e Fjalës e dielës së II pas Krishtlindjes: Ta duam jetën, që Zoti të lind
në ne!
(03.01.2009 R.V.)Ja përsëri në takimin
tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë
e meditojë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së
II pas Krishtlindjes, të ciklit të dytë sipas kalendarit liturgjik të kishës. Kjo
e diel na fton të vazhdojmë ta jetojmë gëzimin e Krishtlindjes. Jezusi, drita e botës,
na propozohet të gjithëve si model jete. Urtia e Zotit e ka vendosur banesën e vet
në mesin tonë për të ndarë bashkë me ne jetën tonë dhe për t’i ofruar të gjithë njerëzve
mundësinë për t’u bërë si Ai. Pra, Liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele
që e zgjat në ne gëzimin dhe hirin e Krishtlindjes, na ofron mundësinë ta thellojmë
misterin e Mishërimit të Zotit, do të thotë ta thellojmë kuptimin e ardhjes së Jezu
Krishtit Zot në mesin tonë, me një vështrim drejtuar ndaj historisë sonë aktuale e
konkrete. Me fjalë tjera, pas Lindjes së Jezusit, vjen koha e krishtlindjes tonë,
sepse siç thotë Shën Ambrozi “ Edhe sikur Zoti të kishte lindur një mijë herë në Betlehem,
por nuk lind në ty, atëherë ka lindur kot”, e pjesa e Ungjillit të kësaj së diele
nga Shën Gjoni pohon:” atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Zotit” (Gjn
1,1-18). Pra, leximet biblike që i dëgjojmë në meshën e kësaj së diele, përsërisin
e ilustrojnë në mënyra të ndryshme temën themelore: Zoti ka dashur të vendos me ne
një marrëdhënie të thellë miqësie e dashurie, Zoti ka ardhur ndër ne për lumturinë
tonë, për shpëtimin tonë, por “Zoti i cili na krijuar pa ne, pa bashkëpunimin tonë,
Ai nuk na shëlbon pa bashkëpunimin e pa pjesëmarrjen tonë në veprën e Tij Shpëtimprurëse”,
thotë Shën Agostini. Në dashurinë e tij të madhe për botën, për njerëzimin, Hyji
Atë vërtetë na ka dhuruar Jezusin, Urtinë i cili “dëshiron të ngul e të lëshoj rrënjë
në mes të popullit të vet” që jemi je, sikur pohon leximi i parë i kësaj së diele
nga libri i Siracidit (Sir 24,1-4.12-16). E leximi i parë nga libri i Siracidit, e
lëvdon Urtinë, figurën e të Birit (Dritën) e të Shpritit. Urtia na fton ta kërkojmë
banesën pranë Zotit. Secilin prej nesh Zoti e ka pa në një plan të përbashkët
kur na ka zgjedhur e dashur që nga krijimi i botës dhe na ka thirrur të formojmë një
Familje të vetme në Krishtin, pohon leximi dytë i kësaj së diele, marr nga letra
e Shën Palit drejtuar Efesianëve (Ef 1,3-6.15-18). Leximi i dytë na ofron kundrimin
e misterit të dashurisë së Zotit. Plani i Atit Qiellor zbatohet përmes Jezu Krishtit,
i cili vjen për të vendosur banesën ndër ne: Ai është i Njëlinduri që vjen e na zbulon
dashurinë e Atit: ”nga plotësia e tij të gjithë ne morën, madje, hir mbi hir”, pohon
leximi tretë i kësaj së diele nga Ungjilli i Shën Gjonit. (Gjn1,16).
Homelia
Të
dashur vëllezër e motra në Krishtin e të nderuar dëgjues të Radio Vatikanit, madhështia,
bukuria, thellësia e Lindjes së Jezu Krishtit Zot nuk mund të shterët apo të soset
në një kremtim liturgjik, qoftë ai edhe më i bukuri. Nevojitet e tërë historia e njeriut,
historia e djeshme, e sotme dhe e nesërme, deri në mbarimin e kohërave për të tentuar
e provuar të kuptojmë së paku ndonjë refleks, ndonjë fragment, e ta kapim zbatimin
e ngadalshëm por të përhershëm të Krishtlindjes. Ja se pse Kisha, që është rojtare
xheloze dhe besnike e Misterit të fesë së krishterë, këtë të diele, na fton ta dëgjojmë
përsëri pjesën ungjillore të Shën Gjonit mbi Mishërimin e Fjalës së Zotit, që kundron
pasojat e veta të dritës, të së vërtetës e të hirit, mbi njerëzimin mbarë. Prandaj,
Kisha na fton të lutemi që, të ndriçuar nga Shpirti Zotit, të dimë të shohim veprën
dhe dorën e Zotit të pranishëm në historinë e çdo njeriu e të mbarë njerëzimit. Shën
Gjoni në Ungjillin e kësaj së diele na ofron një meditim të mbi historinë: të kësaj
historie që na mahnit e shkandullon! Gjoni shikon nga lartë e, në fillim të çdo gjëje,
ai e sheh Zotin në misterin e bashkimit të Tij të dashurisë: “Në fillim ishte Fjala
e Fjala ishte në Hyjin”. Do të thotë se, në fillim të çdo sendi është Zoti që dashuron,
ekziston Zoti-Dashuri. Menjëherë pas, Gjoni e shikon botën dhe vëren se bota është
e krijuar prej Hyjit pikërisht sipas shëmbëllesës së Birit të Zotit. Çka do të
thotë e gjithë kjo? Do të thotë se bota është si një “Bir i Zotit”, me fjalë tjera
në krijimin e botës ekziston një plan, një projekt, një qëllim i Zotit: atëherë bota
ka një kuptim, atëherë jeta e njeriut ka një qëllim. Kjo e vërtetë është ngushëlluese
për ne! Ne nuk jemi qenie të humbura e të tretura në hapësirë, por bijë të Zotit:
të menduar, të dashur, të kërkuar, të dashuruar nga Zotit për një cak, atë të jetës
së amshuar. Ky është vizioni ynë i jetës dhe pikënisja që e dallon besimtarin
prej ateistit: për ateistin bota është një lojë e shkaqeve irracionale, jeta është
një pikë e përbërë prej vitesh që bien në zbrazëti; prandaj për ateistin është lehtë
të kalosh në ide të përkohshme e në përbuzje të jetës. Nuk është kështu për besimtarin:
nëse është besimtar i vërtetë! Shën Gjoni ungjilltar, në pjesën e Ungjillit të
kësaj së diele shton menjëherë se është vështirë të pranohet plani i Zotit, çka do
të thotë se është vështirë të jemi besimtarë të vërtetë: feja është një betejë e vërtetë
me veten e me krenarinë personale kundrejt planit të Zotit e Dritës së Tij Hyjnore;
feja do të thotë të dorëzosh jetën në dorë të Zotit, feja do të thotë të lejosh të
të udhëheq Ai, Krishti Zot i Mishëruar. Të besosh në Zotin është e vështirë! Ndoshta
të gjithë besojmë më pak se sa e pranojmë se besojmë. Për këtë Shën Ulka, në Ungjillin
e tij, na njofton për një pyetje të jashtëzakonshme që i bën Jezusit: “Kur të vijë
Biri i njeriut, a thua do të do të gjejë fe mbi tokë?” ( Lk 18,8). E Ungjilli
nuk jep përgjigje: përgjigjen duhet ta jep secili prej nesh. Po cila është përgjigja
jonë? Të lejojmë të ndriçohemi prej së Larti e të mendojmë mirë e mirë, pastaj ta
vështrojmë jetën në Dritën e Zotit e të përgjigjemi me sinqeritet...në heshtje...ti
përgjigjemi Zotit, sepse është çështje vendimtare. Pse? Shën Gjoni në Ungjillin
e kësaj së diele vazhdon e thotë: “Krishti është jeta. Krishti është drita e njerëzve:
drita e tij shndrit, por errësira nuk e pranoi”. Janë fjalë të shpejta, mirëpo
në to kemi përmbledhjen e tërë historisë njerëzore brenda së cilës protagonistët janë
Zoti e njeriu. Gjoni nënvizon se njeriu, nëse do, mund të vihen kundër Zotit,
mirëpo, duke bërë kështu, njeriu e përjeton errësirën dhe përqafon vdekjen. Vërtetë
Zoti është jeta: ekziston mundësia të mbyllemi para Zotit, është e mundshme ta refuzojmë
e mohojmë Zotin, por pa Zot njeriu nuk ka jetë, ai vdes; pa Zot jeta shndërrohet në
dënim. E megjithatë shpesh ndodhë kështu me shumëkënd! Sa njerëz dënohen me
errësirë, me mungesë të kërkimit të kuptimit të jetës, me mungesë të kërkimit të paqes,
me mungesë të dashurisë..sepse refuzojnë të besojnë në Zotin. Problemi i vetëm e serioz
i jetës, vërtetë është të gjesh rrugën e Zotit, çka do të thotë të gjesh rrugën e
jetës së vërtetë. Të lejojmë që Drita e Zotit të depërtojë në zemra e në shpirtin
tonë, që ka kemi Jetën.